Bllokohen 2 kg kokainë për klientët VIP në Tiranë

Droga e bllokuar dje nga policia në Tiranë
Selaudin Bajrami e Aleksandër Budo e shpërndanin drogën në kazino.
Tiranë, kapen dy shpërndarësit, dy të tjerë në kërkim.
Një sasi lënde nar-kotike prej 2 kilogramësh kokainë pretendohet se është bllokuar nga policia e Tiranës ditën e djeshme. Dy persona janë vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim në lidhje me këtë sasi lënde narkotike. Të arrestuarit e aksionit të koduar me emrin Rojal janë: Selaudin Bajrami, 58 vjeç dhe Aleksandër Budo, 55 vjeç. Aksioni është zhvilluar në rrugën Riza Cerova në Tiranë, pak para mesditës së djeshme. Agjentët e Antidrogës kanë ndërhyrë në momentin e shkëmbimit të 700 gramëve kokainë, e cila besohet se po shitej për 45 mijë euro. Policia sekuestroi edhe lëndën narkotike, edhe paratë, dhe më pas ushtroi kontroll në banesën e njërit prej të arrestuarve ku u gjet edhe sasia tjetër e drogës. Burimet nga Policia thanë se arrestimi i dy personave dhe kapja e sasisë së drogës është bërë pas një hetimi dymujor. Në afërsi të sheshit Avni Rustemi në kryeqytet, shtetasi Selaudin Bajrami u kap në flagrancë përgjatë momenteve të shkëmbimit të lëndës narkotike kokainë, rreth 700 gramë, ndërsa sasia tjetër e lëndës narkotike u sekuestrua në banesën e shtetasit Aleksandër Budo, e ndodhur në rrugën Riza Cerova në Tiranë, tha Policia e Tiranës. Sipas burimeve zyrtare, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë, realizonin trafikim ndërkombëtar të lëndës narkotike. Nga ana tjetër, Policia thotë se lënda e bllokuar dje ishte destinuar për tu shitur e shpërndarë në Tiranë. Lënda narkotike kokainë dyshohet të jetë e cilësisë së parë dhe arrin vlerën 100 mijë euro, ndërkohë që kjo lëndë shpërndahej dhe shitej në kazino, lojëra fati dhe bare të ndryshme në kryeqytet, thuhet në deklaratën e Policisë së kryeqytetit.
Hetimet
Policia e Tiranës tha dje se dy personat e arrestuar gjatë operacionit Rojal akuzohen se kanë kryer veprat penale të prodhimit, mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Ata, sipas hetuesve, e shisnin lëndën narkotike te persona me mundësi të mira financiare, që përballonin edhe çmimet e larta të kokainës. Burimet zyrtare thanë ndërkohë se strukturat e Policisë së kryeqytetit vazhdojnë hetimin ndaj personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe hetimi pasuror i aseteve kriminale të përfituara nga veprimtaria e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Drejtoria e Policisë bëri të ditur se dosja penale ndaj katër personave, përfshi edhe ata që u shpallën në kërkim, do të dërgohet në Prokurorinë e Tiranës për ndjekje penale me akuzat e ngritura. Nga ana tjetër, lënda narkotike e bllokuar në disa qese plastike të mbështjella me natriban është dërguar për analizë në Laboratorin e Policisë Shkencore, pasi do të jetë pikërisht ky laborator që do të përcaktojë përfundimisht përbërjen e pluhurit të qeseve të sekuestruara. tr.so
100 mije euro është vlera e tregut për lëndën narkotike prej dy kilogramë kokainë e cila është bllokuar dje nga policia e Tiranës. Aksioni u krye nga antidroga dhe sektori i operacioneve speciale.
Aksioni Rojal
Të arrestuar
1. Selaudin Bajrami, 58 vjeç, nga Vlora, banues në Tiranë
2. Aleksandër Budo, 55 vjeç, banues në Tiranë
Dy persona të shpallur në kërkim policorSekuestruar
- Rreth 2 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë
- Shuma e parave prej 45 mijë eurosh, shumë e cila është përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.