Jarinë, serbët sërish në protesta, bllokojnë rrugët

Një grup i serbëve nga veriu i Kosovës, kryesisht biznesmene dhe drejtues të ndërmarrjeve private, kanë marrë vendim që të bllokojnë rrugën që të çon në pikën kufitare me Serbinë në Jarinë duke kundërshtuar, si thonë ata, shkeljen e Marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit nga ana e autoriteteve të Kosovës.
Gjatë kohës së kësaj bllokade nga ora 10 deri në 12 të ditës së sotme, ata kanë lejuar kalimin vetëm për automjetet sanitare.
Ndërkaq, në shenjë proteste, gjatë kësaj kohe janë mbyllur edhe dyqanet e pronarëve serbë nga tri komunat veriore.
Biznesmenët serbë thanë se kanë biseduar me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX, por nuk kanë arritur pëlqimin për kërkesat e tyre që konsistojnë në transportin e mallrave nga Serbia në Kosovë pa u ngarkuar me taksa doganore. Ata thonë se kanë premtimet e Qeverisë së Serbisë se nuk do të paguajnë doganë për mallrat e destinuara për veriun e Kosovës. Mallrat që kalojnë nëpër pikën kufitare në Jarinë, sipas biznesmenëve serb, po dërgohen në jug të Mitrovicës për të paguar doganën.
Një veprim i tillë i autoriteteve të Kosovës dhe doganierëve të EULEX-it, sipas serbëve të veriut, është i papranueshëm.
...