Jaupaj: Ekonomia qarkulluese dhe riciklimi në qendër të politikave tona

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Dita Botërore e Riciklimit, që festohet çdo vit më 18 mars është mundësi për të edukuar njerëzit mbi përfitimet e riciklimit dhe për të promovuar politikat dhe iniciativat që mbështesin menaxhimin e mbetjeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Riciklimi ndihmon në uljen e ndotjes, pasi përpunimi i materialeve të ricikluara përdor më pak energji dhe krijon më pak ndotje se sa prodhimi i materialeve të reja.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj tha sot se “kjo ditë na kujton se mbrojtja e mjedisit fillon nga veprimet tona të përditshme”.
“Përmes ndarjes së mbetjeve, ripërdorimit të materialeve dhe reduktimit të konsumit, secili prej nesh mund të kontribuojë drejtpërdrejt në ruajtjen e burimeve natyrore dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”, theksoi Jaupaj.
Jaupaj tha se “vendi ynë po ecën drejt një modeli të qëndrueshëm zhvillimi, ku ekonomia qarkulluese dhe riciklimi janë në qendër të politikave dhe vizionit për të ardhmen, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”.
Riciklimi i mbetjeve konsiderohet si potencial për të krijuar vlerë të re, ndërsa filozofia ”Qarkullo dhe krijo” po përqafohet gjithmonë e më shumë nga bizneset shqiptare.
Vitin e kaluar Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i cili reflekton standardet më të lartë të BE-së në përputhje me kërkesat e Kapitullit 27 për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Në disa rajone të vendit janë ndërtuar dhe janë vënë në funksion disa landfille moderne, të projektuara sipas direktivave të BE-së për sigurinë mjedisore. Në të njëjtën kohë janë ngritur impiante të reja të trajtimit të mbetjeve. Një hap tjetër i rëndësishëm është zhvillimi i impianteve të kompostimit dhe riciklimit, struktura që jo vetëm ndihmojnë në përpunimin e mbetjeve organike dhe materialeve të riciklueshme, por kanë krijuar gjithashtu mundësi të reja për ekonominë vendase duke gjeneruar vende pune dhe duke forcuar sektorin privat.
/k.s/j.p/