Jaupaj: Riciklimi i metaleve, kontribut i rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj vlerësoi kontributin e industrisë së riciklimit në mbrojtjen e mjedisit, duke sjellë në vëmendje modelin e kompanisë “Shijaku Group”, e cila prej vitesh operon në fushën e grumbullimit, përpunimit dhe riciklimit të skrapit metalik.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Jaupaj theksoi se “Shijaku Group prej vitesh është një shembull konkret se si ekonomia qarkulluese mund të kthejë mbetjet në burime me vlerë. Përmes mbledhjes, përpunimit dhe riciklimit të skrapit metalik, kompania kontribuon drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit dhe përdorimin më të qëndrueshëm të burimeve natyrore”.
“Riciklimi i metaleve ul nevojën për nxjerrjen e lëndëve të para nga natyra, kursen energji, redukton ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, si edhe zvogëlon sasinë e mbetjeve që përfundojnë në mjedis”, tha Jaupaj. Në videon e publikuar nga Jaupaj, inxhinieri i “Shijaku Group”, Nertil Gjondedaj, bëri të ditur se kjo kompani operon në treg që prej vitit 1993 dhe ka zgjeruar vazhdimisht aktivitetin e saj, ndërsa një nga sektorët kryesorë mbetet grumbullimi dhe përpunimi i skrapit metalik.“Që në fillim jemi kujdesur për të minimizuar ndikimin në mjedis, duke ndërtuar barriera akustike me mure deri në shtatë metra lartësi. Shijaku Group është ndër kompanitë lider në Shqipëri në përpunimin e skrapit dhe materialeve të hekurit”, u shpreh Gjondedaj.
Ai nënvizoi se përfitimet e riciklimit janë të shumta, duke filluar nga kursimi i energjisë elektrike, i cili arrin deri në 95% për përpunimin e aluminit dhe rreth 60-70% për çelikun dhe hekurin.
Gjondedaj theksoi se për çdo ton çelik të prodhuar nga skrapi shmanget çlirimi në atmosferë i rreth 1,5 tonë dioksid karboni (CO₂), duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Promovimi i ekonomisë qarkulluese dhe nxitja e riciklimit mbeten pjesë e angazhimit për një zhvillim më të qëndrueshëm, në mbrojtje të mjedisit dhe të burimeve natyrore të vendit.
/k.s/j.p/r.e/