E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java 25, ndërpritet Gramozi- Skënderbeu

Skënderbeu doli fitues në 75 minuta lojë ndaj Gramozit (1-0) në fushën e vështirë të Ersekës, në një ndeshje të ndërprerë për 20 minuta e më pas të pezulluar përfundimisht për shkak të “breshërive” me gurë të tifozerisë kolonjarë ndaj vendimeve të treshes së gjyqtarëve të kryesuar nga Artan Taullahu.

Derbi juglindor Gramozi-Skënderbeu, një sfidë midis dy skuadrave të vendeve të fundit, regjistroi një tjetër akt dhunë në futbollin shqiptar, të mbërthyer së fundi nga paracaktimi i rezultateve. Për Skënderbeun bëhet fjalë për fitoren e 5-të rresht në Superligë.

Skënderbeu e gjeti golin pa kaluar ende minuta e parë, Klevisi Roshi gjuajti nga një distancë rreth 40 metra, portieri i Gramozit reagoi, por topi u rikthye te sulmuesi kroat i korçarëve, Milaim Guerrib, i cili i dha avantazhin skuadrës së tij, duke shënuar njëherësh edhe golin e tij të 11-të sezonal.

Semir Haxhibuliç i kishte të gjitha mundësitë për të barazuar rezultatin në minutën e 12-të, por mesfushori boshnjak nuk e shfrytëzoi rastin. Marius Ngjela shënoi një gol për Gramozin, pro asistenti Ergin Doda kishte ngritur më parë për pozicion jashtë loje. Haxhibuliç goditi shtyllën pingule të portës së Llapanjit në minutën e 60-të.

Në minutën e 75-të, gjyqtari kryesor i takimit, Artan Taullaraj, ndërpreu ndeshjen pas “lumit të gurëve” të hedhur në fushë nga tifozët kolonjarë, ku disa prej tyre goditën edhe anësorin Ergin Doda, teksa Skënderbeu udhëhiqte me rezultatin 1-0. Shkak për irritimin e tifozerisë kolonjare u bë anulimi i golit të Ngjelës, por dhe disa pozicione jashtëloje.

Dy tifozeritë përveç fjalorit të sharjeve bënë edhe garën e hedhjes së gurëve. Treshja e arbitrave më pas ka hyrë në dhomat e zhveshjes së bashku me delegatin e Federatës Besnik Çela dhe pas 25 minutash konsultime, është marrë vendimi që takimi të mos rifillojë. Pas pezullimit të ndeshjes e largimit nga stadiumi, policia ka shoqëruar disa tifozë.

Tashmë pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës, por është e qartë se pas kësaj, Gramozi do ta humbasë ndeshjen në tavolinë me rezultatin 2-0 si edhe do të penalizohet me gjobë dhe me dënim të fushës. Sa për kuriozitet, në ndeshjen e fazës së dytë, takimi Gramozi-Skënderbeu (2-0) u luajt pa praninë e tifozëve.

Skënderbeu me fitoren ndaj Gramozit u ngjit në kuotën e 30 pikëve, po aq sa Kastrioti e Vllaznia (një ndeshje më pak), duke lënë në dy vendet e fundit, Flamurtarin (27 pikë, një ndeshje më pak) dhe Gramozin (22 pikë). Skuadra kolonjare me diferencën e krijuar, duket se vetëm matematika i mban në Superligë.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 25
Gramozi-Skënderbeu 0-1
Shënues: Milain Guerrib 1’
Ndeshja u ndërpre në minutën e 75-të


Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Shtune, 27 Mars 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›