Java Botërore e Imunizimit, Manastirliu: Vaksina HPV falas për të gjitha vajzat në moshën paraadoleshente

Në kalendarin kombëtar të vaksinimit do të përfshihet vaksina kundër human papilonavirusit, falas për të gjitha vajzat në moshën e paraadoleshencës. Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“Në Javën Botërore të Imunizimit ne kemi një lajm të mirë për të dhënë. Kemi vendosur që në vijim edhe të rekomandimit të Komitetit të Vaksinimit, të përfshijmë në kalendarin tonë kombëtar të vaksinimit dhe një vaksinë të re, vaksinën kundër human papilomavirusit. Një vaksinë e cila tashmë është në të gjithë kalendaret europiane të vaksinimit, e cila realizohet si vaksinë në moshën paraadoleshente te vajzat. Përfshirja e kësaj vaksine, duke filluar nga viti i ardhshëm, nga viti 2023 në kalendarin kombëtar të vaksinimit, do të rrisë mbrojtjen për vajzat sot, gratë nesër, në mënyrë që të shmangim një kancer i cili është shumë i rrezikshëm, kancerin e qafës së mitrës”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se kjo është një prej vaksinave jetëshpëtuese, ka një efektivitet shumë të lartë dhe ul kostot financiare të familjeve.
“Përfshirja e vaksinës HPV tek vajzat do të na japë një garanci rreth 99 % që do të kemi një reduktim të riskut ndaj kancerit të qafës së mitrës. Studimet kanë treguar që edhe efektiviteti vetëm me një dozë e vaksinës kundër human papilomavirusit redukton deri në 89% rrezikshmërinë ndaj kancerit të qafës së mitrës. Sot ka familje që e blejnë këtë vaksinë, nga 2023 ky do të jetë një investim i qeverisë shqiptare, i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për mbrojtjen dhe shëndetin e vajzave dhe grave në Shqipëri”, tha Manastirliu gjatë një inspektimi në qendrën shëndetësore nr.2 në kryeqytet.