E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Java e 21-të, asnjë ndryshim në kryesim

Kategoria e Parë të hënën me fitoren e Dinamos, 1-0 ndaj Korabit, kjo me golin e Danajt në të 76’, ka mbyllur javën e 21-të. Tanimë kreu i renditjes nuk ka asnjë ndryshim, ndërsa kryeson Skënderbeu me 41 pikë e pas tij Dinamo 40 pikë e Flamurtari 38 pikë. Skënderbeu këtë javë mundi Apoloninë 4-1, kurse Flamurtari triumfoi në derbin e Vlorës me roveshiatën e Pedro Augustos.

Ndërkohë katër skuadrat e “mesit të artë” ishin të gjitha të ndalura këtë javë. Përveç Korabit me 31 pikë, Besa me 30 pikë u mund nga Lushnja 1-2, Tomori me 30 pikë u mund në Berat, 2-0 nga Luzi 2008, sikundër dhe Apolonia në Korçë.

Duket sikur ka qenë java e skuadrave për mbijetesë. Sepse luhet fort në fundin e renditjes, ndërsa në fund të sezonit zbresin katër ekipe direkt në Kategorinë e Dytë. Dhe realisht të rrezikuara janë Besëlidhja me 17 pikë, që u nda në barazim 0-0 me Burrelin. Më pas Turbina me 20 pikë, që në fakt shpreson të ketë një fitore në “tavolinë” nga ndeshja me Tërbunin, teksa u godit në fundin e ndeshjes asistenti Xhuljo Mani. Po kështu Oriku me 21 pikë e Lushnja me 25 pikë.

Në luftën për mbijetesë, duke shpresuar qëndrimin nga Play-off me ekipet fituese të Kategorisë së Dytë, kjo pas skemës 2-5 dhe 3-4, janë në “valle” Luzi 2008, Burreli e Tërbuni. Në Kategorinë e Parë kanë mbetur dhe pesë javë, ndërsa shpresohet deri në fund në një garë Fair-Play dhe pa rezultate të dyshimta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›