Java e 33-të e Superiores, u luajtën sot tre takimet e para

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Java e 33-të e kategorisë “Abissnet Superiore” ka nisur sot me tri ndeshjet e para.
Në orën 15:00 u luajtën takimet Laçi – Skënderbeu dhe Bylis – Vllaznia.
Ekipi i Skënderbeut ka fituar 2-1 një “finale” për mbijetesën në transfertë ndaj një rivali direkt si Laçi dhe për momentin e sheh veten në pozita pak më të favorshme për të siguruar mbijetesën në Abissnet Superiore.
Në sfidën e luajtur në stadiumin e kurbinasve, skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka fitoi me një dygolësh të Bismark, një në secilën pjesë të ndeshjes, ndërsa goli i Kordeiro nuk i mjaftoi ekipit vendas, pavarësisht se krijoi më shumë volum loje, por pa arritur të çante mbrojtjen e ngjeshur të korçarëve.
Skënderbeu merr kështu një bonus të rëndësishme për mbijetesën, ndërsa Laçi sheh gjithnjë e më afër rënien në Kategorinë e Parë.
Po në të njëjtin orar Bylisi mposhti Vllazninë me rezultatin 1-0. Goli i Da Silvës jep shpresa ballshiotëve për mbijetesën, kur kanë mbetur 3 ndeshje nga fundi.
Goli i vetëm i sfidës u shënua nga Da Silva. Ishte fillimi i pjesës së dytë, kur braziliani tundi rrjetën përballë ish-skuadrës së tij, duke e rikthyer Bylisin te fitorja në momentin e duhur dhe duke e nxjerrë nga zona e ftohtë e fundit të tabelës.
Ekipi i Vllaznisë nga minuta e 23-të luajti me 10 lojtarë, pasi Bajrami u largua me karton të kuq. Kuqeblutë pas kësaj humbjeje mbeten në vendin e tretë, ndërsa janë dhe 3 javë për t’u luajtur.
Ndërsa në orën 18:00 në stadiumin “Elbasan Arena” u luajt takimi Dinamo – Teuta, ndeshje kjo është shumë e rëndësishme për garën si në katërshen e parë në kampionat, ashtu edhe për luftën për mbijetesë.
Dinamo kërkonte të siguronte një nga dy vendet e para, për të pasur një ecuri më të thjeshtë në “Final Four” për shkak të formulës së kampionatit. Ndërsa Teuta kërkonte me çdo kusht tri pikë që do ta vendosnin në pozita shumë të favorshme për të shmangur zonën e rënies në javët e mbetura të kampionatit.
Por barazimi 1-1 duket sikur nuk i kënaqi asnjë nga skuadrat. Teuta shënoi e para në minutën e 16-të, pasi Gjinollari gjuajti nga jashtë zone duke befasuar portierin dinamovit. Në pjesën e dytë, në minutë e 53-të ishte i zakonshmi Zabërgja i cili barazoi për Dinamon.
Të hënën, në orën 17:00 do të luhet takimi Egnatia – AF Elbasani, ndërsa në orën 20:00, në “Arenën Kombëtare”, kryeqyteti do të presë një nga përballjet më të zjarrta të futbollit shqiptar, derbin mes Partizanit dhe Tiranës. Kjo sfidë, e fundit për këtë sezon në “Abissnet Superiore”, pritet të dhurojë emocione të forta dhe një spektakël të vërtetë për tifozët e të dyja skuadrave.