Java e DokuFestit
Më shumë se 150 filma, regjisorë të njohur, punëtori, ekspozita, muzikë e shumë aktivitete të tjera do të mund t’i shijoni gjatë një jave, prej 7 deri më 15 korrik, në Prizren. Kjo pasi që gjatë këtyre ditëve do të zhvillohet edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër ‘DokuFest’.
Programi si dhe risitë që sjell sivjet ky festival u prezantuan të martën në Restaurant Rings në Prishtinë.
Të pranishëm në konferencë ishin Veton Nurkollari, drejtor artistik i DokuFest, Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv i DokuFest, Samir Karahoda, përzgjedhës i filmave të shkurtër dhe Nita Deda, zyrtare për media e DokuFest.
Veton Nurkollari tha se në edicionin e tij të11-të, i cili do të mbahet nga data 7 deri më date 15 korrik, DokuFest do të prezantojë më shumë se 150 filma nga shumë vende të botës. Ai tregoi se filmat do të shfaqën në gjashtë programe garuese si dhe mbi dhjetë programe speciale.
“Festivali do të hapet më 7 korrik me shfaqjen e filmit fitues të shumë shpërblimeve ‘5 Broken Cameras’ nga Amad Burnet dhe Guy Davidi në kinemanë Lumbardhi. Në natën e hapjes po ashtu do të shfaqen filma në dy lokacione të tjera, ‘Abramovic: The Artist is Present’, ‘Chasing Ice’, ‘Crulic: The Path To Beyond’, ‘½ Revolution’ dhe ‘Joe Strummer: The Future is Unwritten’”, tha Nurkollari.
Ai po ashtu tregoi se mysafirë të shquar të festivalit përfshijnë filmbërësen e njohur iraniane Samira Makhmalbaf, drejtorin e programit të dokumentarëve të ‘Tribeca Film Institute’, Ryan Harrington, drejtoreshën e festivalit ‘Ambulante’ Elena Fortes dhe filmbërësin britanik Grant Gee, që do të jetë i pranishëm për shfaqjen e dy filmave të tij ‘Patience (After Sebald)’ dhe ‘Radiohead: Meeting People is Easy’.
Një numër i filmbërësve poashtu do të jenë të pranishëm për shfaqjen e filmave të tyre, duke përfshirë Malika Zouhall-Worall dhe Katherine Fairfax Wright (Call Me Kuchu), Yuri Ancarani (Piattaforma Luna), Philip Schefner (Revision), Damjan Kozole (The Long Vacation), Ilian Metev (Sofia’s last Ambulance) dhe Iris Olsson (Burden of My Heart).
Ndërkaq, Eroll Bilibani falënderoi stafin dhe vullnetarët për punën e palodhshme për përgatitjet e festivalit dhe theksoi se DokuFest ka një rritje nga vitet e kaluara. Ai përmendi disa prej punëtorive dhe paneleve që do të mbahen sivjet në 9 ditët e festivalit, duke përfshirë master klasën me regjisorin dhe kinematografin e njohur Michael Glawogger dhe regjisorin e kinematografin polak Woiciech Staron.
“Balkan Documentary Center poashtu po kthehet për vitin e tretë më radhë për të mbajtur seancën përfundimtare të punëtorisë së tyre dhe seancën e prezantimit te filmave, dhe për të ndarë shpërblimin Best Balkan Newcomer. Përderisa fotografja gjermane Jutta Benzenberg do të mbajë një fjalim të fokusuar në eksperiencën e saj 20-vjeçare të të punuarit në Shqipëri”, tha Bilibani.
Samir Karahoda foli për ekspozitën e fotografive DokuPhoto, e cila do të hapet më datë 6 korrik në Muzeun e Hamamit në Prizren.
“Ekspozita do të paraqes fotografi nga artisti i njohur turk Kamil Firat të cilit do t’i prezantohet ekspozita e tij e fundit e titulluar JR, që paraqet pehlivanët fëmijë në Turqi”, tha ai. Poashtu, Karahoda foli për projektin Kino Prizreni, ku më se 50 filmbërës nga e tërë bota do të mblidhen në Prizren për të krijuar filma të shkurtër me buxhet të ulët brenda një periudhe kohore të shkurtër.
Nita Deda përmendi programin e koncerteve DokuNights, të cilat do të sjellin grupe muzikore nga Kosova the rajoni. Mes grupeve të cilat do të performojnë live në DokuNights ajo tha se janë Eda Zari me gjithë bendin e saj nga Gjermania, grupi nga Bosnja Emir and the Frozen Camels, Bernays Propaganda, The Glasses, NR, PINKMETAL, Mental Architects, Jericho, PLATFORM etj.