E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java e filmit

Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFilmFest, i cili u hap të hënën mbrëma dhe do të mbyllet me një tetor, sjell në Prishtinë rreth 50 filma nga vende të ndryshme të botës. Festivalin e hapi filmi ‘Bagazh’ i regjisorit boshnjak Danis Tanovic.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit PriFilmFest për një javë do ta shndërrojë Prishtinën në një kryeqytet të filmit. Edicioni i katërt i këtij festivali, i cili filloi të hënën mbrëma dhe do të zgjasë deri më një tetor, do të prezantojë para publikut të kryeqytetit 49 filma nga vende të ndryshme të botës. Filloi me filmin ‘Bagazh’ të regjisorit boshnjak Danis Tanovic, i cili para disa viteve e ka fituar çmimin Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj me filmin “No Man’s Land” (Toka e askujt) dhe do të mbarojë po ashtu me një film boshnjak, që do të shfaqet në kuadër të programit konkurrues.

Bëhet fjalë për filmin “Children of Sarajevo” (Fëmijët e Sarajevës) i cili ka fituar një çmim në Cannes dhe po ashtu është filmi i përzgjedhur boshnjak për të garuar për Oscar. “Festivali sivjet do të ketë 49 filma, të cilët ndahen pak a shumë në programe të njëjta që i kemi pas edhe në vitet e kaluara, vetëm se ka disa ndryshime të vogla. E kemi programin konkurrues, program kryesor të filmave të metrazhit të gjatë, e kemi programin konkurrues të filmave të metrazhit të mesëm, i cili, siç ka qenë edhe në vitet e tjera, është përsëri konkurrues. Risi në festival është programi i filmave ballkanikë, i cili do të jetë konkurrues sivjet. Pastaj e kemi futë sivjet si program të ri programin e filmave dokumentarë, që nuk është program konkurrues, mirëpo, shërben për të promovuar dokumentarë të ndryshëm, të cilët shtjellojnë temat e të drejtave të njeriut, temat e ambientit, e kështu me radhë”, ka thënë në një konferencë për media drejtoresha e festivalit, Vjosa Berisha.

Në programin konkurrues në këtë festival do të ketë filma që vijnë nga vendet e ndryshme, si Çekia, Gjermania, Sllovakia, Bullgaria, Austria, Izraeli, Franca, si dhe një film nga Kosova “Agnus Dei”, i regjisorit Agim Sopi, i cili ka qenë premierë botërore dhe shfaqet për herë të parë para publikut të Kosovës.

Po ashtu, një film tjetër që do të jetë pjesë e këtij festivali është edhe filmi “Kolona” i regjisorit të ri Ujkan Hysaj, i cili tash vonë ka fituar edhe në disa festivale ndërkombëtare.

Në këtë festival do të ketë edhe filma të metrazhit të shkurtër nga Rumania, Gjermania, Austria, Sllovenia etj.

Në programin ballkanik do të prezantohen filma nga Maqedonia, Serbia, Turqia, Sllovenia dhe Bosnja.

Juria në të gjitha konkurrencat do të ketë përbërje nga vendorët dhe ndërkombëtarët. Gjithashtu në këtë festival do të ketë edhe emra të njohur të fushës së kinematografisë, por nuk do të ketë emra që do të bëjnë “bum”, pasi që, siç ka shpjeguar drejtoresha e festivalit, duke mos e ditur sigurt çështjen e financimit, nuk kanë arritur të sjellin ndonjë emër të këtij lloji.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›