Rikthehet në rolin e Elizabetës

Helen Mirren do të rikthehet në rolin që i kishte sjellë çmimin “Oscar” në “The Queen”, duke portretizuar mbretëreshën Elizabeth II në një shfaqje të re nga Peter Morgan, që do të titullohet “The Audience”. Regjisori i “Billy Elliot”, Stephen Daldry, është ai që do të udhëheqë Helen në projektin e ri teatral që do të finalizohet në shkurtin e vitit të ardhshëm.
“The Audience”, vë në fokus disa takime mes mbretëreshës dhe dymbëdhjetë kryeministrave gjatë sundimit të saj. Morgan ka imagjinuar disa nga bisedat kyç që ishin bërë pjesë tejet private e jetës politike britanike.
“Nga Churchill te Cameron, secili kryeministër ka përdorur këto biseda si kufi dhe të besueshme – nganjëherë intime, e nganjëherë eksplozive”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga regjisori. Veprat e mëhershme të Morgan përfshijnë edhe shfaqjen e shumëpërfolur “Frost/Nixon”, e cila ia kishte siguruar rrugën në “Broadway”, dhe më vonë ishte përshtatur për ekranin e madh.
Disa nga skenarët e tij të njohur janë “The Last King of Scotland”, “The Damned United”, dhe biografia për Hugh Hefner “Playboy”.