E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në shenj të tre serialeve

Seriali komik “Familja Moderne” triumfoi në ceremoninë e sivjetme të ndarjes së çmimeve Emmy. Përveç fitores së tretë radhazi për komedinë më të mirë, pjesëtarët e ekipit të serialit të popullarizuar, që flet për një familje jofunksionale amerikane, fituan edhe çmimin për regjinë më të mirë, si dhe atë për aktoren dhe aktorin më të mirë episodik.

Përveç serialit “Familja Moderne”(Modern Family), ceremoninë e ndarjes së çmimeve Emmy, që u mbajt të dielën mbrëma në Los Angeles, e shënuan edhe serialet “Ndërrimi i Lojës” (Game Change) dhe “Atdheu” (Homeland), të cilat fituan nga katër statuja Emmy.

"Ndërrimi i Lojës”, seriali që flet për ish-guvernatoren e Alaskës, e cila u bë kandidate republikane për zëvendëspresidente të Amerikës, gjegjësisht seriali që përshkruan ngritjen e Sarah Palin në politikë, fitoi çmimin për miniserialin më të mirë, si dhe për regjinë dhe skenarin më të mirë, përderisa Julianne Morre, e cila luan rolin e Sarah Palin, fitoi çmimin e aktores më të mirë në një miniserial.

Edhe pse shumëkush u kënaq me aktrimin e Julianne Moore, vetë Palin pohoi se aktorja hollivudiane nuk e bëri punën e saj si duhet.

Nga ana tjetër, seriali “Atdheu” është seriali i parë i një rrjeti kabllor që fiton çmimin Emmy në kategorinë e serialit dramatik, duke larguar kështu nga froni serialin “Djelmoshat nga Madison”, i cili për katër vite radhazi triumfoi në këtë kategori.

"Atdheu” mund të lavdërohet edhe me çmimet që ia sollën Caire Danes dhe Damian Lewis, në kategoritë për aktoren dhe aktorin më të mirë të zhanrit të serialit dramatik, si dhe me çmimin për skenarin më të mirë në këtë kategori.

Aktori i njohur, Kevin Costner, fitoi çmimin Emmy, si aktori më i mirë në filmin (ose miniserialin) e History Channel "Hatfields & McCoys", ndërsa aktori tjetër në këtë miniserial (film), Tom Berenger, u nderua me çmimin e aktorit më të mirë dytësor.

Një nderim i veçantë gjatë ceremonisë së sivjetme të ndarjes së çmimeve Emmy iu bë edhe shumë yjeve dhe fytyrave të paharruara publike, si Andy Griffith, Marvin Hamlisch, Tony Scott, Dick Clark, Ernest Borgnin, Harry Morgan, Donna Summer, Whitney Houston, Don Cornelius, Steve Jobs, Phyllis Diller, Gil Cates, Mike Wallace dhe Andy Rooney.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›