E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: ODIHR denoncoi qartë vjedhjen, ndryshe nga viti 2009

Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, doli në një konferencë për shtyp ku lexoi një deklaratë me qëndrimin e opozitës për raportin përfundimtar të vëzhguesve të ODIHR.

Tahiri lexoi të gjitha kritikat e ashpra të vëzhguesve, sidomos për rezultatin e Tiranës.

Berisha nxitoi të varte një medaljon të turpshëm në trup. Raporti në asnjë faqe nuk i ka klasifikuar këto zgjedhje si të lira dhe si të ndershme. Nuk i ka përmbushur këto zgjedhje sikur përmbushën standardet. Raporti thotë se listat kishin probleme, pushteti ushtroi presion ndaj administratës publike dhe buxhetorëve, konstaton se procesi i votimit ishte me shkelje në më shumë se 10 përqind të qendrave, çka është më keq se në vitin 2009. Për të mos folur më pas për konstatime të tilla si mbushja e kutive, duke rikthyer praktika që kishin vite që nuk ishin parë.

Sipas raportit, KQZ u soll si institucion partiak. Numërimi i votave të gabuara ndryshoi një praktikë të konsoliduar. Sipas raportit, numërimi i këtyre fletëve ishte i parapërgatitur dhe i pambështetur në ligj. Sipas raportit, pas numërimit të votave të rregullta, fitues ishte Edi Rama.

Vetë vendimet e Kolegjit cilësohen si kontradiktore, në kundërshtim me njëra- tjetrën. Vendimet e Kolegjit për Tiranën janë të ndryshme për situata të njëjta, duke hedhur dyshime për vendime politike të Kolegjit, tha Tahiri.

Deputeti socialiste deklaroi se Berisha po e rendit vendin tek vendet me zgjedhje të manipuluara. Për PS, raporti i djeshëm është i ndryshëm nga ai i vitit 2009 dhe nuk le shteg për ti vënë kapak vjedhjes.

Ne nuk presim që pas kësaj Basha të japë dorëheqje, sikundër nuk presim që banda e qeverisë në KQZ të japë dorëheqje. Në një vend normal këta do jepnin dorëheqjen për dështimin në organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, përfshi edhe kryeministrin. Berisha po e klasifikon vendin në vendet me zgjedhje të manipuluara, ku mbushen kutitë, ku kërcënohet administrata, ku KQZ manipulon me komandë politike.  PS e cilëson raportin si plotësisht objektiv. Ndryshe nga raporti i vitit 2009, që i vinte kapak vjedhjes me fraza të rrumbullakosura, raporti i djeshëm nuk le shteg për këtë, tha Tahiri.

Ajo që PS ka theksuar për mundësinë potenciale për vjedhjen e zgjedhjeve , tani është certifikuar nga ndërkombëtarët.  Raporti thotë se me këtë KQZ nuk bëhen zgjedhje. PS është e gatshme të bashkëpunojë për një reformë të plotë zgjedhore. Ne jemi gati për të kontribuar për një bazë solide për të kryer reformën zgjedhore. Raporti është një bazë e mirë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, vijoi më tej deputeti i PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›