E Hënë, 2 Nëntor 2026

Java e ndërgjegjësimit për aksidentet rrugore, apelohet për zbatim të rregullave të qarkullimit

Sensibilizimi nga ana e gjithë përdoruesve të rrugës do të sjelli më pak aksidente. Këmbësorët mendojnë që drejtuesit e mjeteve nuk duhet të abuzojnë më shpejtësinë dhe alkoolin pasi rrezikon jo vetëm jetën e tyre por edhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

“Sytë i kanë këtu, zbato rregulloren dhe ik”, tha një këmbësor.

Edhe drejtuesit e mjeteve ndajnë të njëjtin mendim ku shpesh herë edhe ata vetë bien preh e tejkalimit të shpejtësisë duke shkaktuar aksidente.

“Të jenë të qetë, të mos jenë të pirë, të vënë rripin”, u shpreh një drejtues mjeti.

Vetëm përgjatë 23 ditëve të muajit maj policia rrugore ka ndëshkuar me masa administrative 1 209 drejtues mjetesh. Pjesa më e madhe e gjobave me 392 të tilla janë vendosur për parakalime të gabuara duke vazhduar me 291 gjoba për parkime të gabuara, 285 për tejkalim shpejtësie, etj. Brenda këtij muaji janë pezulluar 4 leje drejtimi mes të cilave edhe për përdorimin e alkoolit nga drejtuesit e mjeteve. Në kuadër të sezonit turistik, policia ka shtuar praninë në rrugët kryesore, përfshirë akset Tepelenë–Gjirokastër–Kakavijë dhe Kardhiq–Delvinë.

 “Kemi njolla të zeza që fillojnë te kthesa në Memaliaj, ura e Kardhiqit, ura e Leklit dhe pjesa e Subashit, prandaj ne jemi gjatë të gjithë kohës prezent në këto akse për të parandaluar aksidentet”, u shpreh  Arjola Novi, punonjëse qarkullimi.

Ndërkohë që të aksidentuarit janë trajtuar pranë repartit të urgjencës së Spitalit Rajonal “Omer Nishani”. Shefja e Urgjencës bën të ditur se kanë marrë ndihmë mjekësore 20 drejtues mjetesh të aksidentuar dhe 10 këmbësor.

“Muajt e fundit rreth 20 raste kanë qenë aksidente automobilistike dhe pacient të cilët kanë marrë mjekim. Kanë qenë dhe rreth 10 pacient kalimtar”, u shpreh shefja e Urgjencës, Asife Shehaj.

Policia rrugore apelon për respektim të Kodit Rrugor, për të shmangur aksidentet dhe pasojat e rënda që ato sjellin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›