E Shtunë, 31 Tetor 2026

Javë skandal për arbitrat, gafat rikthejnë polemikat

TIRANE-Mjaftuan vetëm pak muaj që arbitrat të rikthehen të jenë në qendër të vëmendjes në kampionatin shqiptar. Java e 14-të e Superligës, më shumë sesa për humbjen e Dinamos apo për atë çfarë prodhuan skuadrat në fushën e lojës, do të mbahet mend për gafat skandaloze të gjyqtarëve, duke kushtëzuar rezultatin në të paktën dy ndeshje. Gabimet ishin aq të dukshme sa edhe dizenjatori Arsen Hoxha dje nuk ngurroi të shprehej se "masat nuk do të mungojnë as këtë herë". "Gabime ka pasur dhe do të ketë, por sigurisht që kartoni i kuq që nuk iu dha portierit të Bylisit apo penalltitë për Dinamon, ishin shumë të dukshme. Nuk kam arsye pse të veproj me dy standarte dhe përderisa kam dënuar gjyqtarë të tjerë si Janku, Jemini apo Pashaj, kështu do të veprohet edhe këtë herë", tha Hoxha për "Gazetën Shqiptare". Natyrisht, sanksionet edhe këtë herë do të mbeten sekret, pasi kështu është rregullorja. "Ju mund ta kuptoni fare mirë se kur një arbitër nuk gjykon për disa javë, ai ka gabuar", deklaron më tej Arsen Hoxha.
Bylis-Tirana 1-1
Arbitri Kridens Meta është nga ata që kanë një përgatitje fizike shumë të mirë, por kur ai gabon, e bën në një mënyrë tejet trashanike. Një vit më parë, u bë protagonist i jashtëzakonshëm i ndeshjes mes Gramozit dhe Laçit, duke fishkëllyer në çdo momente dhe duke acaruar në kulm tifozerinë vendase. Ndërkohë, të shtunën e kaluar drejtoi në një mënyrë më shumë se të çuditshme ndeshjen Bylis-Tirana (1-1). Portieri i skuadrës ballshiote Frashëri e ndaloi topin me dorë disa metra jashtë zone, ndërsa Meta nuk i dha as karton të verdhë, ndërkohë që duhet të ishte një i kuq i pastër. "Pashë që topi i preku në gjoks dhe isha tangent me duart, kështu që nuk mund të shihja nëse e preku", ka argumentuar ai në relacionin zyrtar. Më tej akoma, ai i mohoi një penallti të pastër Tiranës, ç'ka solli edhe reagimin e ashpër të trajnerit Nevil Dede. Ky i fundit u nxorr me të kuqe, por pas ndeshjes deklaroi: "Nuk kam dashur të flas për arbitrat, por sot ka qenë një gjykim skandaloz dhe i turpshëm. Arbitri na ka dhunuar në fushën e lojës".
Dinamo-Teuta 1-2
Dinamo pësoi dy gola të shpejtë ndaj Teutës, por nëse gjyqtari Peza do të kishte qenë më i vëmendshëm, ndeshja mund të kishte përfunduar ndryshe. Kanë qenë dy momente ato që kanë kushtëzuar këtë takim. Në pjesën e parë Arjan Sheta preku dukshëm një top me dorë, por Ervis Peza nuk akordoi asgjë, duke shkaktuar irritimin e Blankos në pankinë dhe të futbollistëve në fushë. "Nuk kisha pamje të qartë për ta parë", ka thënë gjyqtari për këtë rast. Por, një situatë e ngjashme u përsërit edhe në pjesën e dytë dhe me të njëjtin protagonist, Shetën. Edhe në këtë rast ai e ndaloi topin me dorë dhe prekja ishte më e dukshme, ç'ka do të thotë se ishte një penallti e pastër. "Lojtari ishte shumë pranë dhe prandaj nuk e dhashë", ka qenë argumentimi zyrtar i Pezës. Por, në fakt, duart e mbrojtësit të Teutës ishin shumë të hapura, ç'ka do të thotë se 11-metërshi ishte i pastër.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›