E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobing, mjeku Fuentes: Nëse flas, Spanjës i hiqet Europiani e Botërori

MADRID- Skandali i dopingut që ka përfshirë atletikën spanjolle mund të shkaktojë një tërmet edhe në futbollin e këtij vendi. Mjeku i arrestuar nga policia Eufemiano Fuentes, që ndodhet në qendër të këtij skandali, nga qelitë e tij ka hedhur dyshime mbi kampionatin europian dhe Botërorin e fituar nga Spanja.

Gazetat “Marca” dhe “El Mundo” kanë marrë dëshmitë e të burgosurve të tjerë, sipas të cilëve, Fuentes ka thënë se nëse ai hap gojën dhe flet, Spanjës do t’i hiqet Europiani dhe Botërori. Gjykata e Madridit ka liruar të dielën 6 prej të arrestuarve në skandalin e përdorimit të dopingut në vend, ndërsa avokati i Fuentes ka dalë përpara mediave duke thënë se klienti i tij është i pafajshëm.

Ndërkohë vetë mjeku, që është rreth të 30-ve, ka dalë nga prapa Gjykatës për të mos u përballur me mediat dhe ka fluturuar direkt për në ishujt Kanarie. E megjithatë, tregimet e tij në qelitë e burgut kanë bërë të dridhet Spanja. Tre të burgosur, duke folur për Marca-n dhe El Mundo-n, kanë rrëfyer fjalët e Fuentes, duke thënë se nëse ai do të flasë, atëherë mund të hiqen Europiani dhe Botërori, ç’ka nënkupton se pas triumfeve të Spanjës mund të ketë pasur diçka tjetër.

Gjithsesi, për momentin gjithçka mbetet në kuadrin e fjalëve dhe mjeku Fuentes, ish-gjinekolog, vështirë se do të flasë ndonjëherë për këtë çështje.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›