Jemen, nga 6 vjet burg për 3 shqiptarët

Autoritetet e drejtësisë së Jemnit i kanë dënuar 3 shqiptarët me nga 6 vite burg, pasi akuzohen për trafik armësh.
Ky fakt bëhet i ditur nga mediat vendase, duke u theksuar se të ndaluarit me origjinë shqiptare janë deklaruar fajtorë për shkelje të ligjeve të Jemenit dhe atyre ndërkombëtare.
Autoritetet në Jemen prangosën pak kohë më parë tre shtetasit shqiptarë, duke i akuzuar për trafik të eksplozivëve, armëve të zjarrit dhe municioneve.
Tre shqiptarët ishin marinarë, pjesëtarë të ekuipazhit të një anijeje (Ayis) me flamurin e Maldive.
Kjo anije kishte një ngarkesë me 179 tonë armë, lëndë plasëse dhe municione të kalibreve të ndryshme dhe po udhëtonte me destinacion Irakun, në portin e Um Kasrit.
Anija u nis më 17 korrik të vitit të kaluar nga Greqia, u furnizua në Malin e Zi dhe në 16 dhjetor ndaloi në portin e Al Mukallës, në Jemen, për furnizim me karburant.
Arif Bakillari, kapiteni i anijes, pohoi se ngarkesa me armë dhe municion ishte për t’u dërguar në Irak, konform procedurave dhe në rregull të plotë. Madje ai shtoi se përgjatë udhëtimit janë shoqëruar edhe nga anije të NATO-s.
Ishte ndalesa në një port të Jemenit, ajo që i hapi telashe anijes me armatim, në muajin dhjetor.
Arif Bakillari, Mihal Cangoi, Nezir Shahaj, janë ndaluar nga policia portuale dhe më pas kanë kaluar për proces gjyqësor.
Shqiptarët akuzohen se kanë shkelur ligjet kombëtare dhe rregullat ndërkombëtare, ku më e rëndësishmja është lundrimi në det me lëndë plasëse dhe municione, pa iu përmbajtur koordinatave të përcaktuara ndërkombëtarisht.
Nga hetimet thuhet se në anijen Ayios me flamur të Maldive, gjendeshin 179 tonë armatim dhe municione, që të gjitha prodhim serb ose ish-jugosllav. Në ekuipazh gjendeshin tre shtetas shqiptarë, dy indianë dhe një grek./Indeksonline/