Jemen, vriten 14 ushtarë nga sulmet e al-Kaidës

Zyrtarët e Jemenit kanë bërë të ditur se të paktën 14 ushtarë janë vrarë, kur militantët e dyshuar të al-Kaidës kanë sulmuar dy ndërtesa qeveritare në qytetin jugor Aden.
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Jemenit thuhet se 11 ushtarë ishin vrarë nga të shtënat, kur sulmuesit kishin arritur në hyrje të ndërtesës që shfrytëzohet nga Televizioni shtetëror i Jemenit.
Tre të tjerë janë vrarë disa minuta më vonë nga eksplodimi i makinës bombë në oborrin e një ndërtese të afërt, që shfrytëzohet nga shërbimi i inteligjencës.
Më tej në njoftim theksohet se janë plagosur edhe katër ushtarë të tjerë dhe tre punonjës të televizionit, përfshirë edhe dy femra.
Qeveria e Jementi, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, prej muajit prill është duke zhvilluar një goditje ushtarake të shkallës së gjërë kundër kryengritësve të dyshuar të ndërlidhur me al-Kaidën.