E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikanët po vijnë në veri

Pjesëtarë të Gardës Kombëtare të New Meksikos (SHBA) do të vijnë në Kosovë në kuadër të trupave të NATO-s. Ata pritet të dislokohen në veri të vendit, pasi shumë shpejt, përgjegjësia për këtë pjesë do të bartet nga francezët, te trupat amerikane që veprojnë në kuadër të KFOR-it. Nga Express më 10 janar 2011 në ora 08:11

Pas një viti shërbim në Afganistan, rreshteri Arthur Ambriz ka mjaft përvojë për të vazhduar të qëndrojë larg atdheut, mijëra kilometra larg nga shtëpia e gruas së tij e stolisur në të kuqe.

"Unë do të jem vazhdimisht në kontakt," thotë burri dhe babai i tre fëmijëve. "Unë do të përpiqem të thërras në secilën mundësi që do të kem. Dhe do të shkruaj ... do të mundohem të jem i zënë. Do të marr shumë fotografi të familjes sime. Do të mundohem t’u shkruaj në secilin rast që do të mundem”.

Ambriz do të jetë në krye të 180 ushtarëve të Batalionit të parë të Gardës Kombëtare të New Meksikos, të regjimentit 200 të këmbësorisë, që së shpejti do të nisen për në Kosovë, për një mision paqeruajtës njëvjeçar.

Ata u nderuan të shtunën me një “fjongo të verdhë”, që është diçka tradicionale, në ceremoninë e mbajtur pasdite në Qendrën Cruces Las Conventes.

Një bredh i ri ishte lidhur me një fjongo të verdhë të ndritshme, që do të mbillet në zonën e Gardës Kombëtare në perëndim të Las Cruces, për të pritur kthimin e sigurt të Batalionit të Parë.

Njëra në mesin e atyre që do të presë, do të jetë edhe Anissa Ambriz, 17 vjeçe, e cila në ceremoninë e babait të saj që mblodhi rreth 500 veta, i buzëqeshte me ëmbëlsi.

“Unë vërtet ndjehem e trishtuar," thotë ajo. "Ai do të jetë larg për një kohë kaq të gjatë”.

Por trishtimi ishte i shoqëruar gjithashtu edhe me vetëdijen se ajo mund të mbajë kokën lart për misionin e babait të saj.

"Unë jam shumë krenare për të," thotë ajo. "Sepse, nëse dikush do të më pyesë, unë mund të them se babai im është duke luftuar për vendin tonë”.

Guvernatorja Susana Martinez mori pjesë në ceremoninë e së shtunës, që është e para guvernatore e New Mexicos, e cila ishte prezent në një ceremoni që njihet edhe si “fjongo e verdhë” e kujtimit.

"Kjo është një ditë e trishtuar, por kjo është një ditë për të nderuar burrat dhe gratë që shërbejnë dhe familjeve të tyre që shërbejnë me ta," tha ajo. "Fuqimisht unë i përkrah ata që qëndrojnë në shtëpi, si edhe ata që shkojnë për të shërbyer."

Rreshteri i parë, Santiago Delgado, i cili kryeson batalion dhe sapo është kthyer nga Kosova në muajin korrik, tha se misioni i ushtarëve amerikanë do të jetë që të sigurojnë paqen, t’u përgjigjen emergjencave, të ndërtimit të rrugëve dhe të infrastrukturës, të punojnë për të mirën e komuniteteve, ashtu siç është bërë dikur pas luftërave botërore.

Ai pranoi se diçka do të jetë e vështirë: nuk ka hamburgerë me djathë, nuk ka biskota shtëpie. Por puna, tha ai, është e vlefshme.

"Rrugët, ndërtesat, shumë prej tyre u bombarduan," tha Delgado duke shtuar se "Serbët dhe shqiptarët janë duke u përpjekur të jenë të qetë dhe kjo është ajo që ne duam të ndodhë."

Kryetari i Bashkisë, Ken Miyagishima, i cili gjithashtu foli në ceremoninë e së shtunës, tha se vitin e ardhshëm do të jetë e vështirë për ushtarët Las Cruces dhe familjet e tyre, por se prapa ata do të lënë një qytet me një vlerësim të madh për secilin që jep kontribut.

"Dhe unë e di se ka shumë gjëra që duhet kujdesur kur të largoheni ju. Unë e di këtë, sepse kur shkoj larg për tre apo katër ditë, oh njerëz, unë kam kaq shumë gjëra që duhet të kujdesem për to. Unë nuk mund ta imagjinoj se çfarë do të thotë të jesh larg për një vit të tërë -.jo vetëm për stresin për familjet dhe shtëpinë, por gjithçka. Por puna e tyre bën që ata të jenë larg në rrezik. Dhe ne nuk mund t’i falënderojmë ata në mënyrë të mjaftueshme… ", tha Miyagishima.

Zëdhënësi i Gardës Kombëtare, lejtënant kolonel Jamison Herrera tha se numri prej 450 apo më shumë ushtarëve që do të dërgohen në Kosovë, është në rritje krahasuar me numrin e Gardës Kombëtare të New Mexicos që kanë shkuar më parë.

Ushtarët e Gardës Kombëtare vazhdojnë të jenë të vendosur në Kosovë, si forca paqeruajtëse në kuadër të NATO-s.

Në vitet e fundit, pjesëtarë të Gardës Kombëtare të New Meksikos janë vendosur në Kosovë, Afganistan, Irak dhe Kubë. Përveç tyre, aktualisht 82 gardistë janë të vendosur me mision në zonën kufitare jugperëndimore.

Marrë me shkurtime nga Las Cruces Sun-Nws. Titulli dhe nëntitulli janë të vendosur nga redaksia.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›