Jemi shumë vonë

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, u bëri apel forcave politike të përshpejtojnë punën për hartimin dhe miratimin e kodit të ri zgjedhor. Në një intervistë për “Korrierin”, ai tha se vonesa e mëtejshme rrezikon procesin e ardhshëm zgjedhor. “Jemi vonë. Jemi shumë vonë. Kjo është gjëja që mund të them. Sa më shumë vonohet, aq më shumë dëmtohet procesi”, - tha kreu aktual i KQZ-së. Çlirim Gjata jep alarmin se faktori kohë mund të vërë në rrezik zgjedhjet e vitit 2009. KQZ-ja, siç tha ai, do të vijojë punën me kodin në fuqi, derisa të hyjë në fuqi ligji i ri. Ndërkaq, ai vuri në dukje se ky institucion duhet të vazhdojë të jetë i përhershëm dhe jo i përkohshëm, sikurse është një nga variantet e diskutuar mes aktorëve të politikës. Çështja e numrit të anëtarëve apo edhe mënyra e propozimit të tyre nuk shikohet si një faktor shqetësues nga Gjata, që në krahun tjetër kërkon të ketë një projekt konkret përpara se kodi të miratohet.
-Si e komentoni situatën e krijuar, ku KQZ po funksionon pa ditur ende të ardhmen e tij?
Çlirim Gjata: “Nuk mundet e ardhmja të na kushtëzojë të tashmen. Ne punojmë sot. Kemi një kod në fuqi. Disa e quajnë ligji i vjetër, por është ligj në fuqi. Derisa të miratohet ligji i ri, do të vazhdojmë të punojmë me këtë, siç ka punuar ky institucion nga viti 2000 e këtej. I vetmi ndryshim, që është një ndryshim që s’na takon neve deri diku, sepse nuk e ndiejmë ne, është ndryshimi në Kushtetutë. Por kjo nuk ka të bëjë aspak me funksionimin e institucionit. Ne kemi përballuar dy palë zgjedhje: ato komunale dhe të pjesshme. Kemi mbajtur raportin vjetor në parlament. Kemi një rezolutë ku përshëndetet puna e KQZ-së. Nuk është se ka ndodhur gjë. Kur të miratohet ligji i ri, KQZ-ja do të funksionojë me të e ri. Sesi do realizohet pastaj me kodin e ri, këtë mbetet ta shohim”.
-Nga burimet pranë dy partive të mëdha flitet për një shifër 7 ose 5 anëtarë. Aktualisht KQZ-ja ka 9, por a është problematike ulja e numrit të anëtarëve?
“Unë jam jurist dhe juristi nuk mund të flasë me “Nëse...”. Juristi në fushën e tij nuk mund të flasë me “Nëse...”. Mund të diskutoj për këtë çështje kur të kem një projekt në tavolinë. Mirë do të ishte që të kishim të paktën një projekt, që të dimë se ku synohet. Pra, jo vetëm për mua apo institucionin, por edhe për analistët apo ata që rëndom quhet grupe interesi, mirë do të ishte që të jepnim një mendim, se pastaj pasi të bëhet ligji është kot të japim mendim. Absolutisht nuk dimë asgjë se çfarë projekt dispozitash janë ndërmarrë deri tani. Opinionet s’mund t’i diskutojmë”.
-Si drejtues i një institucioni, a do të ndikonte në zhvillimin normal të punës së këtij institucioni nëse aktualisht ju do të kishit nga 9, 7 ose 5 anëtarë? A do të krijonte kjo probleme në zgjedhjet e 2009-ës?
“Në respekt të pyetjes suaj, unë do të thosha që e kam drejtuar institucionin edhe kur ka qenë me 7, edhe tani që është me 9. Nuk është çështja tek numri. Në fund të fund numri deri tani ka qenë një kompromis politik i palëve në proces, për të rritur besimin e tyre, sepse besimi çon tek vullneti i palëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Numri nuk duhet të kthehet në një qëllim në vetvete. As numri, as individi, as emrat nuk janë ato që e përcaktojnë atë, por është aftësia profesionale, ndershmëria, zbatimi i ligjit etj. Pra, nuk e shikoj si një gjë determinante çështjen e numrit. Institucionet funksionojnë. E rëndësishme është ana profesionale, kompetencat që do të jepen me ligj tek hapësirat që do të ketë ky institucion për të drejtuar procesin. Sa do të ketë dorë tek administrata poshtë, deri në çfarë mase do të jetë e politizuar kjo administratë e deri në çfarë mase do të jetë civile, raportet që ka KQZ-ja me administratën deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar: këto janë të më rëndësishme sesa çështja e numrit”.
-Si është më mirë, i pavarur apo politik KQZ?
“Ne i kemi kaluar të dy, edhe KQZ të pavarur, edhe KQZ me anëtarë të propozuar nga partitë. Ku kanë ndryshuar këto KQZ?! U kanë shpëtuar ndonjëherë akuzave?! Kanë qenë akuza të njëjta në të gjithë historinë. Procesi ka ardhur duke u rritur si nivel nga njëri proces tek tjetri?! Askush deri tani nuk ka bërë përgjegjës kryesor KQZ-në. Është goditur për gjëra anësore. Por procesi ka ardhur duke u rritur, duke rritur demokracinë e procesit, duke iu afruar përditë e më shumë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Atëherë kur KQZ nga i pavarur ka ardhur politik, procesi ka ardhur duke u rritur. Logjika e thjeshtë, por nuk qëndron as kjo logjikë. Nuk të bën institucioni, je i politizuar apo i pavarur. Është individuale, e bën aftësia profesionale. Të propozohesh nga një parti politike nuk është krim. Mos më shikoni gjë mua si kriminel se më ka propozuar PD-ja apo kushdo këtu që është propozuar nga një parti. Partitë janë institucione politike. Nga partitë kanë dalë qeveritë. Atëherë, pse ne duhet të shikohemi me këtë, që është e pavarur?! Jo. Shiko ecurinë e procesit, punën që ka bërë ky institucion. Ka ardhur në rritje, të tjerat nuk vlejnë”.
-Ndryshimi i numrit të anëtarëve pritet të shoqërohet edhe me riformatimin e anëtarëve aktualë. A mund të rikandidojnë edhe atë që janë aktualisht në KQZ dhe a ndikon emërimi i anëtarëve të rinj gati 9 apo 10 muaj përpara zgjedhjeve?
“Mbrëmë dëgjova një intervistë dhe i intervistuari që i thoshte: “Kjo është pyetje dhjetëmijëdollarëshe”, d.m.th është shumë e vështirë. Ajo që them unë, është se e gjithë kjo pyetje i takon kompromisit politik. Unë kur erdha këtu e dija këtë gjë, që isha mbi bazën e një kompromisi politik që u arrit, dhe pikërisht kësaj jam munduar t’i shërbej: “moscënimit të besimit të palëve në proces”. ajo që mua më intereson personalisht, është çështja sesi do të jetë administrimi në bazë, ndaj të gjithë problemet teknike më duken qesharake, si koalicione të përbërë apo fletëvotimi me fotografi etj”.
-Një KQZ i përkohshëm apo i përhershëm do t’i shërbente një vendi që është synon për herë të parë të arrijë zgjedhje të standardeve?
“Unë do të thosha se edhe për ca kohë duhet i përhershëm. Pak rëndësi ka nëse këtu jam unë apo tjetri, me kaq apo me aq anëtarë etj. T’i lëmë të gjitha këto. Edhe për ca kohë KQZ duhet të jetë i përhershëm”.
-Në bazë të afateve që aktualisht janë në dispozicion për miratimin e kodit, trajnimin e administratës etj., a ka mundësi që ne në 2009-ën të themi më së fundi “një shans i shfrytëzuar”?
“Çështjen e kohës unë e kam trajtuar qoftë me faktorët ndërkombëtarë, qoftë me median. Jemi vonë. Jemi shumë vonë. Kjo është gjëja që mund të them. E kemi thënë e stërthënë çështjen e kohës. E gjitha ndikon tek procesi”.
-Një vonesë e mëtejshme?
“Sa më shumë vonohet, aq më shumë dëmtohet procesi”.
-Rrezikohen standardet?
“Rrezikohen qartë. Vonesa është faktori. Kemi të bëjmë më deltine, me afat. Nuk është se po i përcakton zgjedhjet kur do ti. Ka një datë të caktuar, nga e cila nuk lëviz dot. Duhet t’i bësh deri atëherë”.