Pa Maltën, Suedia svlen

TIRANË – Shqipëria ndaj Maltës do të luajë me skemë të njëjtë, por më mënyrë interpretimi të ndryshme. Këto ishin fjalët e thëna dje nga trajneri Ari Han në konferencën për shtyp. “Do të luajmë me një sulmues të vetëm, - tha holandezi, - pasi kërkoj që të kemi kujdes. Ndeshja nuk do të jetë aspak e lehtë”.
Sipas faqes zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), në sulm po provohen disa alternativa, mes të cilave edhe Bogdani, ndërsa në mbrojtje po shikohet nëse mund të aktivizohet shkodrani Admir Teli, kaluar tash së fundi në Turqi tek Haxhetepeja. Kjo, sepse Armend Dallku ka pasur dhimbje në bark. Mesfusha, duke reparti i vetëm (përjashto portën) ku nuk do të ketë ndryshime, pra me Hykën majtas, Duron djathtas, Skelën, Canën dhe Lalën në qendër.
Mbetet të shikohet roli i Lorik Canës, i cili në ndeshjen ndaj Suedisë u kërkua që të luante mjaft përpara, sidomos në pjesën e dytë. Duke qenë se ndaj Maltës kërkohet patjetër fitorja, ndoshta Han do të kërkojë sërish të njëjtën gjë nga shqiptari i Kosovës.
“Synimi ynë për ndeshjen janë 3 pikët, - ishte komenti i mëtejshëm i Hanit, - Malta nuk është skuadër aq e dobët, ndërsa për ne do të jetë e vështirë sepse do të duhet të luajmë për të fituar”.
Edhe për kombëtaren shqiptare do të jetë një ndeshje që duhet fituar me patjetër. Barazimi me Suedinë nuk do të kishte ndonjë vlerë të madhe nëse ndaj Maltës nuk arrihet suksesi i plotë. Në rast fitoreje, skuadra kuqezi do ta shihte veten në kuotën e 4 pikëve siç nuk e ka parë kurrë në eliminatoret e mëparshme.
Biletat: 3 000, 700, 500 e 200 lekë
Ndryshe, dhe në mënyrë të kuptueshme, nga ndeshja me Suedinë çmimet e biletave të sotme për në “Qemal Stafa” janë më të ulëta. Tribuna qendrore (A dhe B) kushton 3 000 lekë, ajo përballë përkatësisht 700 (në qendër) dhe 500 (në dy krahët), ndërsa dy tribunat prapa portës e kanë çmimin 200 lekë.
Ari Han, rekordi vazhdon
Kurrë më parë nuk kishte humbur Ari Hani ndeshjen e parë eliminatore në detyrën si trajner i një përfaqësueseje. Kjo nuk ndodhi as të shtunën ndaj Suedisë. Barazimi 0-0 do të thotë se ai vazhdon të mbetet i pathyer në 90 minutat e para, kur ka qenë edhe trajner i Kamerunit dhe Kinës.