Jemi të izoluar
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka shpjeguar para dhjetëra diplomatëve në Bullgari se idetë që vijnë nga Serbia për shkëmbimin e territoreve, për ndarje dhe krijimin e shteteve monoetnike janë ide të rrezikshme dhe mund të prodhojnë vetëm dhunë në Ballkan.
Ai ka fajësuar Presidentin serb, Boris Tadic, i cili kohëve të fundit ka dhënë deklarata të ndryshueshme rreth Kosovës.
“Të hënën, zoti Tadic propozon ndarje të Kosovës, të martën flet për shkëmbim të territoreve, të mërkurën flet për krijimin e shteteve monoetnike në Ballkan, derisa të enjten dhe të premten vjen me deklarata të tjera. Ide të tilla janë shumë të rrezikshme dhe mund të prodhojnë dhunë, jostabilitet dhe mund ta kthejnë Ballkanin 20 vjet mbrapa. Kufijtë e Ballkanit janë vendosur, janë stabil dhe çështja e sovranitetit, e territorit janë çështje të mbyllura”, ka thënë Hoxhaj gjatë ligjëratës në Institutin Diplomatik të Bullgarisë, me temën “Shtetndërtimi dhe perspektiva europiane e Kosovës”.
Hoxhaj ka thënë se pavarësia e Kosovës ka krijuar paqe, stabilitet dhe siguri në Ballkan
“Kosova është shtet sikur që është Sllovenia, e cila është pjesë e Bashkimit Europian, sikur që është Kroacia që ka marrë ftesën për në BE, sikur që është Mali i Zi, që ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2006. Kosova është kaptina e fundit e shpërbërjes së Jugosllavisë”, ka thënë ai.
Duke folur për shtetndërtimin e brendshëm, Hoxhaj ka thënë se në këto tri vite është bërë një punë shumë e madhe në implementimin e Pakos së Ahtisaarit, në reformimin e shtetit dhe të shoqërisë, derisa po vazhdojnë përpjekjet për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Hoxhaj ka theksuar se marrëdhëniet e mira mes shteteve të rajonit varen nga perspektiva e qartë europiane që duhet të kenë shtetet e Ballkanit.
“Ndërtimi i shteteve në Ballkan nuk ka qenë vetëm dëshirë, vullnet i qytetarëve brenda shteteve, por ka qenë edhe dëshirë dhe vullnet i faktorëve të jashtëm. Prandaj, ekzistenca e shteteve në Ballkan varet sot nga perspektiva europiane”, ka shtuar ai.
Me këtë rast, ai ka ritheksuar nevojën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në Europë dhe nevojën e vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE’në.
Ai u ka folur diplomatëve të pranishëm në ligjëratë edhe për izolimin e Kosovës.
“Vetëm dy milionë kosovarë nga 50 milionë qytetarë të Ballkanit, nuk kanë drejtë të lëvizjes pa viza në Europë. Kosova sot është shtet i izoluar dhe ne nuk dëshirojmë të mbesim një popull i harruar në mes të Europës. Ne kërkojmë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”, ka thënë Hoxhaj.
Miqësi parlamentarësh
Gjatë qëndrimit në Sofje, Ministri Hoxhaj të martën ka zhvilluar një takim edhe me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Asamblesë Nacionale të Bullgarisë.
Gjatë takimit, Hoxhaj ka informuar anëtarët e këtij komisioni për zhvillimet në Kosovë si dhe me aspiratat dhe perspektivën europiane të shtetit të ri.
Hoxhaj ka përsëritur faktin se pavarësia e Kosovës, si kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë, ka krijuar paqe, stabilitet, siguri dhe perspektivë euroatlantike në rajon.
Ministri Hoxhaj ka shprehur interesimin e institucioneve dhe diplomacisë kosovare për të intensifikuar bashkëpunimin e gjithanshëm me Republikën e Bullgarisë, duke pasur parasysh mbështetjen e madhe që ky shtet ka dhënë për Kosovën, sidomos pas pavarësimit.
“Por, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë do të forcojmë jo vetëm marrëdhëniet bilaterale në nivelin politik dhe institucional, por do të thellojmë miqësinë historike mes dy popujve, miqësi e cila do të konsolidohet në vazhdimësi nga qytetarët e dy vendeve tona”, ka thënë Hoxhaj.
Në anën tjetër, anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme në Asamblenë Nacionale të Bullgarisë, kanë marrë iniciativë për krijimin e grupit të miqësisë Bullgari-Kosovë, në kuadër të Asamblesë Nacionale bullgare, grup i cili pritet të krijohet edhe në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë vizitës në Sofje, Hoxhaj ka marrë pjesë edhe në një ceremoni simbolike në Ambasadën e Kosovës në Bullgari, ku së bashku me ambasadoren Ariana Zherka Hoxha, ka bërë dorëzimin e pasaportës së Kosovës, për një student kosovar në Bullgari.