Me Mladicin n’Gazimestan
Festa e Vidovdanit mblodhi prapë disa qindra serbë në Gazimestan, në vendin ku 622 vjet më parë është zhvilluar Beteja e Kosovës. Të rinj, pleq dhe plaka nga të gjitha anët e Serbisë dhe nga Kosova, në mënyrë të organizuar kanë ardhur në Gazimestan për të përkujtuar dhe për t’u lutur për “të rënët, trimat serbë” në këtë betejë. Me thirrje nacionaliste, flamuj dhe simbole kombëtare, ata gjatë gjithë kohës kanë kënduar këngë për Serbinë e Madhe dhe kundër Evropës e Amerikës. Madje, një flamur amerikan edhe u dogj nga disa të rinj serbë. Këtë e bënë në shenjë hakmarrjeje, sepse, siç thanë, “Amerika po i ndihmon shqiptarët”. Veprimi u krye në prani të policëve rumunë të EULEX-it, që ishin aty me shumicë.
Serbët e kanë shprehur nervozën edhe për arrestimin e Ratko Mladicit, të cilin ata e konsiderojnë hero. Qindra fotografi të tij u shpalosën në tubim, ndërkohë që shumë djem bartnin veshur fanela me fotografi të tij. Njëri nga ta ishte Daniel Sahovic (21) nga Gjurakofci, tash me vendbanim në Beograd.
Më 28 qershor të vitit 1989, Danieli i kishte vetëm dy vjet dhe nuk kishte ide se pikërisht nga ky vend, Slobodan Milosevic mbajti një fjalim nacionalist, që konsiderohet si fillim i betejës së tij vrastare. “Kjo është toka jonë dhe gjithnjë do të jetë ashtu”, thotë Danieli, përderisa tregon se të gjitha këto i ka mësuar nga prindërit dhe në shkollë. “E mira për ne ka filluar këtu”, thotë ndërkaq Dejan Savic nga Prilluzha. Ai nuk di shumë për Betejën e Kosovës, por nuk përton të brohorasë me të madhe se Kosova është zemër e Serbisë.
Ata që dinë më shumë janë më të vjetrit. Milutin Kostic, 85-vjeçar nga Graçanica, tha se 28 qershori për serbët është festë dhe dhimbje. “Shumë djem kanë rënë këtu”, thotë ky plak me veshje tradicionale serbe.
Derisa prisnin të fillojë liturgjia, grupe serbësh këndonin këngë nacionaliste, në të cilat fyenin shqiptarët. Në një moment, ata shprehin urrejtje edhe ndaj politikanëve të tyre. “Zot shpëtoje Serbinë e vraje Boris Tadicin”, këndonte një grup njerëzisht. Disa kërkonin ndihmë edhe nga Rusia.
E mysafirët që erdhën, nuk u pritën mirë nga pjesëmarrësit. Përveç patrikut Irinej, në Gazimestan zbarkoi edhe ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, sekretari shtetëror në këtë ministri, Oliver Ivanovic dhe princi Aleksandar Karadjordjevic. Ai u prit me brohorima nga pjesëmarrësit, të cilët e porositnin “mëso serbisht”. Por, as princi nuk qëndroi duarkryq. “Fuck off”, u tha ai atyre që e fishkëllenin.
Edhe gjatë fjalimit, të cilin e lexoi në serbisht, turma e ka ndërprerë duke brohoritur për Mladicin. Princi u përpoq që t’i disiplinojë ata, por ishte e kotë. Atë e dëgjuan shumë pak veta, përderisa tha se Gazimestani është tokë e shenjtë serbe. “Këtu jemi që të tregojmë se ky vend është toka jonë. Këtu e kemi djepin tonë. Këtu është ardhmëria jonë, e Kosovës dhe Metohisë”, tha ai.
Ndërsa patriku Irinej, në fjalimin e tij të gjatë e lidhi ditën e Vidovdanit të sivjetmë me atë të vitit 1389, që kanë rastisur të qëllojnë të njëjta. “U ndeshën dy ushtri, lindja dhe perëndimi, gjysmëhëna dhe kryqi, e po shihet se kryqi kurrë nuk mund ta humbë betejën, sepse kryqi është fuqi”, tha ai.
Patriku për fund pati edhe një porosi. Ata që jetojnë në Kosovë, ai i ftoi të jetojnë në fqinjësi të mirë me shqiptarët, ndërkaq ata që kanë ikur nga shtëpitë e tyre, i ftoi të kthehen. “Sepse kjo është tokë e shenjtë, ne nuk guxojmë ta harrojmë dhe duhet ta mbajmë në zemrat dhe mendjet tona”, tha ai.
Më herët, në Manastirin e Graçanicës, Irinej i bëri thirrje popullit serb që të flijohet për Kosovën, nëse është nevoja. Ndërkaq, ministri Goran Bogdanovic iu ka shpërndarë para nënave serbe, të cilat kanë nga katër apo më shumë fëmijë.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, policia ka shtuar masat e sigurisë. Rruga Prishtinë-Mitrovicë ka qenë e mbyllur për vetura, gjatë kohës sa ka zgjatur tubimi. Ndërkaq, njësitë speciale janë kujdesur të mbajnë rendin gjatë shpërndarjes së pjesëmarrësve. Ata nuk kanë lejuar askënd që të provokojë, ndërsa kanë ndërhyrë kur nuk janë respektuar urdhrat e tyre. Policia ka arrestuar pesë persona, për shkak se i kanë gjuajtur me gurë pjesëtarët e policisë.
Provokime në Mitrovicë
Në Mitrovicë, tre persona kanë sulmuar dy autobusë me qytetarë, të cilët ishin duke u kthyer nga Gazimestani. Zëdhënësi i policisë, Nysret Mehmeti ka thënë se ngjarja ka ndodhur në urën lindore, me ç’rast nga gjuajtja me gurë e autobusëve, janë lënduar dy persona dhe janë thyer xhama të automjeteve. Por, burime të Kosovapressit nga Lagjja e Boshnjakëve në Veri, e banuar me popullatë të përzier, kanë bërë të ditur se qytetarët në autobus kanë qenë të dehur dhe gjatë kalimit nëpër këtë lagje, kanë provokuar banorët shqiptarë, duke kënduar këngë çetnike dhe duke ngritur tre gishtërinj. Sipas të njëjtave burime, disa prej udhëtarëve kanë tentuar të zbresin nga autobusi për t’u kacafytur me shqiptarët, por disa të tjerë i kanë penguar. Kështu, ka plasur sherri dhe gjatë përleshjes mes vete ka pasur edhe të lënduar.