E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama i shkruan Berishës: Presim të vazhdojmë bashkëpunimin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, i shkruan letër urimi për zgjedhjet e 28 qershorit Kryeministrit Sali Berisha. Kryediplomati amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, zhvilloi dje një takim me kreun e qeverisë shqiptare për t‘i përcjellë mesazhin e urimit. Pas urimeve nga homologët e vendeve fqinje, nga krerët e Europës, ishte radha e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përshëndetur rizgjedhjen për herë të dytë të Sali Berishës si Kryeministër. Në mesazhin e Presidentit Obama, ndër të tjera thuhet se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë kontributin e Shqipërisë në shtrirjen e paqes e stabilitetit në botë. Mbetem i angazhuar të vazhdoj bashkëpunimin me ju dhe të përkrah aspiratat euroatlantike të vendit tuaj". Më tej Obama shpreh besimin se bashkëpunimi i vazhdueshëm do t ‘i konsolidojë edhe më tej lidhjet midis dy vendeve. Në mesazhin e tij drejtuar Kryeministrit Berisha, Obama shkruan: "I dashur Kryeministër, ju lutem pranoni përgëzimet e mia për rikonfirmimin e mandatit tuaj si Kryeministër i Shqipërisë. Pres me padurim të vazhdoj të punoj së bashku me ju për të promovuar lirinë dhe mirëqenien në të gjithë botën". Presidenti i SHBA-së thotë se për të ka qenë një nder i madh që së bashku me udhëheqësit e tjerë të vendeve të NATO-s të mirëpresin Shqipërinë dhe Kroacinë si anëtarët më të rinj të Aleancës në Samitin e Strasburg-Kehlnit në fillim të këtij viti. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë lart marrëdhëniet e ngushta e miqësore me Shqipërinë. Jam i bindur se bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm do t‘i konsolidojë edhe më tej lidhjet midis dy vendeve tona. I uroj qeverisë suaj dhe juve personalisht, sukses të plotë në mandatin e ri qeverisës si Kryeministër", përfundon mesazhi i Presidentit të SHBA-ve, drejtuar Kryeministrit Sali Berisha. Në 10-ditëshin e fundit të shtatorit, kreu i qeverisë shqiptare bashkë me delegacionin e tij zhvilluan një vizitë 8-ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku morën pjesë gjithashtu në sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kryeministri Berisha priti dje paradite në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, i cili i dorëzoi Kryeministrit Berisha mesazhin e urimit të Presidentit Obama për fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe formimin e qeverisë së re. Kabineti qeveritar përcaktoi programin që do të ndjekë në katër vitet në vazhdim dhe ka nisur menjëherë punën, pas dekretimit në Presidencë dhe miratimit në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›