E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jensen: Dhuna nuk justifikohet

Ambasadori i Danimarkës në Tiranë Karsten Ankjaer Jensen, ka reaguar për demonstratën e së premtes ku humbën jetën 3 persona.
Në një deklaratë për shtyp të lëshuar nga ambasada danezë, Jensen shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e demonstratës dhe humbjen e jetës së tre personave.
"Tre persona, paguan me çmimin më të lartë të mundshëm paaftësinë e politikës shqiptare për të gjetur kompromiset. Një numër shumë më i madh u plagosën dhe mund të mbartin përgjithmonë shenjat e plagëve të shkaktuara nga dështimi i politikës së demokracisë shqiptare. Ky fakt, thellësisht trishtues, duhet të na japë shkak për qetësi dhe reflektim të thellë. Nevojiten vendime të mençura dhe jo intensifikim i veprimeve e retorikave," shkruan ambasadori Jensen. Deklarata vijon më tej me fjalët se e drejta për të demonstruar me mjete paqësore, është themelore në demokraci dhe çdo përpjekje për ta kufizuar këtë të drejtë është një sulm ndaj demokracisë. "Por dhuna e shkatërrimit nuk mund të justifikohen, thekson Jensen, as forca e tepruar e ushtruar pa dallim. Ai shprehet se në një demokraci të vërtetë është në dorë të sistemit të drejtësisë të gjykojë dhe jo të politikanëve. "Presim që institucionet e drejtësisë shqiptare të marrin përgjegjësitë e tyre, në mënyrë të qartë e transparente, dhe të ndjekin ligjërisht, në përputhje të plotë me ligjin, të gjithë shkelësit e tij nga të dy palët. Gjithashtu pritet bashkëpunimi i plotë e aktiv i qeverisë përfshirë institucionet e saj edhe opozitën," thekson në komunikatën e ambasadorit danez.
"Demokracia shqiptare, theksoi Jensen, është sfiduar përsëri tashmë si nga ngërçi i gjatë politik ashtu edhe nga ngjarjet e fundit që çuan në tre të vdekur. Por, çdo shoqëri, atëherë kur ajo sfidohet nxjerr në pah vlerat e saj të vërteta dhe forcën e institucioneve të saj demokratike. Në një udhëkryq të tillë, unë i bëj thirrje të fortë qeverisë dhe opozitës të zgjedhin me mençuri në interes të popullit shqiptar dhe të ardhmes së begatë europiane të cilën populli i këtij kombi të madh meriton" përfundon deklarata e ambasdorit danez në Tiranë Karsten Ankjaer Jensen.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›