Jensen: Pak nga kandidatët plotësojnë kriteret për president
Intervista
Ambasadori i Danimarkës: Personi, më i rëndësishëm se procesi
Konsensusi rreth një kandidati të së kaluarës vetëm do të çimentonte përshtypjet se Shqipëria nuk është ende e gatshme për në Europë
Shpërthen Karsten Jensen, ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, vendi i të cilit ka Presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Në një intervistë për Shqip, ambasadori Jensen thekson se nga personi që do të zgjidhet si President i Republikës do të varet mesazhi që Shqipëria i jep BE-së. Sipas tij, procesi është një komponent i rëndësishëm i demokracisë, por vetëm duke i ndjekur procedurat demokratike në letër, nuk është e thënë të sigurohet një rezultat demokratik. Historia është e mbushur me shembuj diktatorësh apo mashtruesish që kanë ardhur në pushtet nga kutia e votimit. Më tej, diplomati i vendit që ka Presidencën e BE-së, thekson se asnjë nga kandidatët që janë përmendur për president nuk i plotëson kriteret…
Procesi: Procesi është një komponent i rëndësishëm i demokracisë, por vetëm duke i ndjekur procedurat demokratike në letër, nuk është e thënë të sigurohet një rezultat demokratik. Historia është e mbushur me shembuj diktatorësh apo mashtruesish që kanë ardhur në pushtet nga kutia e votimit
Gara: E kam ndjekur garën e kuajve dhe emrat e shumtë që tani janë në lojë. Si koment të përgjithshëm me trishtim më duhet të them se pak e përmbushin atë që kërkohet nga një president në një vend që synon të marrë statusin e kandidatit të BE-së
Zoti ambasador, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ministri danez për Çështjet Europiane, në emër dhe të Presidencës aktuale të BE-së, deklaroi se zgjedhja e ardhshme e presidentit do të ishte një test i rëndësishëm dhe se do të monitorohej nga afër. Pse konsiderohet kaq i rëndësishëm si test?
Sepse rezultati i zgjedhjes së presidentit do të jetë një mesazh i fortë drejt Europës në lidhje me kursin e ardhshëm të Shqipërisë. Për të qenë sa më i qartë, le ta shohim “bardhë e zi”, klasa politike ka dy opsione: ose të dërgojë mesazhin që Shqipëria ka mbetur në të shkuarën, ose mesazhin se Shqipëria ka hedhur një hap vendimtar drejt së ardhmes. Është vendimtare për integrimin e Shqipërisë në Europë që këtë herë politikanët të bëjnë zgjedhjen e duhur. Kjo zgjedhje ose do ta përndjekë, ose do ta bekojë Shqipërinë në pesë vitet e ardhshme.
Pra, personi që përzgjidhet ka më shumë rëndësi se procesi?
Po. Procesi është një komponent i rëndësishëm i demokracisë, por vetëm duke i ndjekur procedurat demokratike në letër, nuk është e thënë të sigurohet një rezultat demokratik. Historia është e mbushur me shembuj diktatorësh apo mashtruesish që kanë ardhur në pushtet nga kutia e votimit. Pra, qartësisht, në asnjë shoqëri, nuk mjafton vetëm procesi. Personi ka më rëndësi për
dy arsye të qarta: së pari, presidenti i ri do të ketë përgjegjësinë të sigurojë që institucioni i Presidencës të vazhdojë të jetë i pavarur. Pavarësia institucionale dhe ndarja e pushteteve mes degëve të qeverisjes u shpik për të mbrojtur demokracinë nga vetvetja. Një president i dobët, apo një president që efektivisht bëhet një shpatull e qeverisë, do ta vinte Shqipërinë në një situatë në të cilën një nga mburojat bazë të demokracisë, pavarësia institucionale, do të pushonte së funksionuari. Së dyti, personi i zgjedhur si president do të bëhet imazhi i shqiptarëve për botën jashtë. A do të jetë ai fytyra që do të përfaqësojë shqiptarët e ndershëm e punëtorë, të cilët të gjithë ne duam ti ribashkohen Europës? Apo do të jetë fytyra e korrupsionit, ryshfetit, mashtrimit zgjedhor, apo indiferencës ndaj shtetit të së drejtës në demokraci, pra e gjithçkaje që shkon keq në politikën shqiptare, të cilën ne, në BE, nuk duam ta importojmë në asnjë lloj rrethane. Një person i fuqishëm me një reputacion dhe të kaluar të pacenuar ka rëndësi vendimtare. Presidenti do të jetë në detyrë 5 vitet e ardhshme, dhe ai duhet të jetë një pasuri për integrimin në BE e jo një barrë.
Shumë nga kolegët tuaj thjesht theksojnë rëndësinë e ndjekjes së Kushtetutës dhe frymës së saj në letër. Dukeni sikur ju shkoni përtej kësaj?
Nuk është kështu. Ajo për çka po flas janë themelet e demokracisë, të cilët janë sanksionuar në letrën dhe frymën e Kushtetutës shqiptare. Megjithatë, një nga dobësitë e Kushtetutës aktuale shqiptare është se pavarësia e institucioneve në të nuk është e mbrojtur mirë. Kushtetuta shqiptare, për shembull, nuk i përmban mbrojtjet rigoroze siç mishërohen në Kushtetutën amerikane. Në një demokraci të pjekur, ky mund të mos ishte një problem i madh, sepse një frymë e fortë demokratike mbështet garancitë kushtetuese. Kjo nuk ndodh në Shqipëri. Kombinimi i mbrojtjeve të dobëta kushtetuese me papjekurinë e politikës është ajo që na ka sjellë në situatën e tanishme, ku ekziston rreziku i vërtetë i dëmtimit të demokracisë në Shqipëri.
Cili është mendimi juaj për kandidatët e përmendur deri më tani?
Së pari, më lejoni të theksoj me forcë se është tërësisht në dorë të politikës shqiptare të vendosë se kë do të zgjedhin si president. As BE-ja e as unë nuk mund të përmendim emra apo komentojmë mbi kualifikimet individuale të kandidatëve të veçantë. Kjo është një çështje e brendshme shqiptare, por është një çështje e brendshme që mund të ndikojë thellësisht të ardhmen e Shqipërisë.
Sigurisht që e kam ndjekur garën e kuajve dhe emrat e shumtë që tani janë në lojë. Si koment të përgjithshëm, me trishtim më duhet të them se pak e përmbushin atë që kërkohet nga një president në një vend që synon të marrë statusin e kandidatit të BE-së. Është veçanërisht shqetësuese të dëgjoj konsiderata në media apo diku tjetër ndaj personave që në vendet më demokratike nuk do ia dilnin as të hynin në derën e hipodromit e jo më të përmendnin rreshtimin në vijën e startit. Ata do të skualifikoheshin menjëherë, për shkak të së kaluarës, të tashmes dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Por në Shqipëri njerëz të tillë po konsiderohen si të duhur për zyrën më të lartë, nga media e nga të tjerët. Kam frikë se kjo në vetvete transmeton një mesazh të fortë sa i takon pjekurisë së demokracisë shqiptare. Sigurisht që kjo nuk ndodh për shkak të mungesës së kandidatëve. Ka shumë shqiptarë të mëdhenj në politikë e jashtë saj, me integritet personal, që kanë guximin të mbrojnë, pavarësinë e institucioneve dhe që kanë një të kaluar të përsosur. Fatkeqësisht shumica ende nuk janë shfaqur në listën e kandidatëve që po konsiderohen seriozisht.
Shumë flasin për nevojën e një presidenti konsensual?
Do të ishte e mrekullueshme sikur politikanët parlamentarë të bashkoheshin rreth personit që do të ishte fytyra e re e Shqipërisë në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe në vitet e rëndësishme që e presin Shqipërinë në familjen europiane. Kjo mund të ishte një shenjë bindëse për Europën, që tregon se pjekuria politike është përmirësuar. Them mund, sepse konsensusi rreth një kandidati të së kaluarës vetëm do të çimentonte përshtypjet se Shqipëria nuk është ende e gatshme për në Europë.
Në politikë e përtej saj, nuk i japin shumë rëndësi Presidencës si një institucion. Në fund të fundit presidentit nuk i jepet shumë pushtet nga Kushtetuta.
Nuk mendoj aspak se është e vërtetë. Presidenti ka funksione të rëndësishme ekzekutive, madje jetësore, në lidhje me sistemin gjyqësor dhe të sigurisë kombëtare. Gjatë katër viteve që kam pasur privilegjin të ndjek politikën shqiptar