“Aksi i aksidentit me sinjalistikë të rregullt - autobusi kontroll teknik një muaj më parë”
Grupi i ekspertëve vazhdon hetimet në vendngjarje. Flet Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Vullnet Topalli
Krahas veprimeve të kryera për dhënien e ndihmës dhe transportimin e të dëmtuarve, nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, në përbërje të të cilit janë dhe ekspertë të strukturave qendrore të Policisë Rrugorë, Ekspertë Kriminalistë, si dhe Ekspertë mjeko ligjorë, ka vazhduar punën për zbardhjen e rrethanave dhe të shkakut të këtij aksidenti të rëndë.
Sipas Drejtorit të Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Vullnet Topalli, mësohet se nga hetimet e kryera nga grupi hetimor rezulton se, “Aksi rrugor ku ka ndodhur aksidenti ishte i pajisur me sinjalitikën e duhur paralajmëruese. Po kështu ishte i pajisur dhe me mbrojtësen anësore metalike standarde, ndriçues fosforeshent anësor përgjatë gjithë kthesës në të dy anët e rrugës, asfalti ishte i thatë, i pastër dhe pa mbetje”. “Po ashtu nga hetimet e kryera rezulton se drejtuesi i mjetit, shtetasi Pëllumb Çela ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse, të klasit DE, që në vitin 1999 dhe kjo leje drejtimi ishte rinovuar deri në vitin 2014. Ndërkohë që automjeti në fjalë ka rezultuar të ketë kryer kontrollin e fundit teknik me datë 26. 04. 2012. Nga ana e grupit hetimor vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje me pyetjen e dëshmitarëve, të dëmtuar nga ky aksident, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e saj”, garantoi Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Vullnet Topalli.
Në vijim të komunikimeve të një dite më parë, lidhur me aksidentin e rëndë ndodhur në rrugën nacionale Vlorë-Himarë, ku në vendin e quajtur Qafa e Vishës, një autobus me targë EL 2272 B, ka rënë në një distancë rreth 60 m, ju bëjmë me dije se është bërë i mundur identifikimi i 13 viktimave të kësaj ngjarje të rëndë, të cilët janë, Topalli bëri të ditur edhe detaje të tjera të operacionit të emergjencës.
Sipas tij, për menaxhimin e kësaj ngjarje të rëndë dhe dhënien e ndihmës së menjëhershme personave të dëmtuar, strukturat e Policisë së Shtetit kanë bashkëpunuar ngushtë me të gjitha strukturat e administratës shtetërore, të angazhuara në këtë operacion, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Emergjencave Civile, si dhe Organet e Qeverisjes Vendore.
Në operacionin e shpëtimit të pasagjerëve të dëmtuar nga strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Vlorë, të Repartit Delta Force, si dhe forca të Repartit Special RENEA.
Po ashtu në dhënien e ndihmës u përfshinë dhe banorët e zonës.
Për transportin e menjëhershëm të të dëmtuarve dhe viktimave të këtij aksidenti të rëndë u vunë në dispozicion helikopterë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Po ashtu dhe ambulancat e rretheve Vlorë, Sarandë dhe Himarë.
“Njëkohësisht Policia Rrugore dhe ajo e Rendit organizuan punën për mbajtjen hapur të të gjitha akseve rrugore dhe për dhënien e ndihmës së shpejtë. Në Drejtorinë e Përgjithshëm të Policisë u ngrit një grup pune, i cili koordinoi gjithë veprimet e shërbimeve të policisë në vendngjarje. Në vendin e ngjarjes për menaxhimin dhe drejtimin e operacionit të shpëtimit ka qenë prezent Ministri i Brendshëm dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit”, bëri të ditur më tej Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Vullnet Topalli.