E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët nga i gjithë vendi, homazhe në kujtim të bashkëmoshatarëve të tyre

23-05-2012 / Gazeta 55

Shqipëria në zi, dhimbje dhe lot për jetët e humbura

Dje ishte ditë zie kombëtare në nderim të kujtimit të 13 viktimave të aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e së hënës në aksin rrugor në afërsi të Himarës.
Vetëm pak orë pas këtij aksidenti Këshilli i Ministrave vendosi “shpalljen ditë zie kombëtare të ditës së martë, në nderim të viktimave, që, në lulen e rinisë së tyre, humbën jetën, për shkak të aksidentit  tragjik”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Në bazë të këtij vendimi, në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, ulën flamurin kombëtar në gjysmështizë, ndërsa në orën 12.00 u mbajt një minutë heshtje. Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës transmetoi muzikë funebre, ndërsa ngarkohet Ministria e Brendshme të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave.
Ndërkohë, dhimbja ka qenë më e madhe në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Jo vetëm kaq, por i gjithë Elbasani është solidarizuar për të lehtësuar sa më shumë pasojat dhe dhimbjet e kësaj ngjarje të rëndë.
Qindra studente në Elbasan zhvilluan dje homazhe në kujtim të studenteve që humbën jetën një ditë më parë si pasojë e një aksidenti tragjik ndodhur në Himarë. Ndërkaq, ceremonia zyrtare u zhvillua rreth orës 16.00 e me pas trupat e pajetë u përcollën për në banesën e fundit.
Homazhe për bashkëmoshatarët e tyre, kanë zhvilluar dje edhe studentët e universiteteve të Tiranës. Me qirinj në duar ata u grumbulluan para korpusit qendror universitar. Mes lotëve studentët nderuan kujtimin e bashkëmoshatarëve të tyre, që humbën jetën tragjikisht në aksidentin e rëndë të ndodhur dy ditë më parë.
Edhe studentë, pedagogë dhe drejtues të Universitetit “Luigj Gurakuqit” të Shkodrës, përcollën paraditen e djeshme mbështetjen e tyre solidarizuese për familjet e prekura nga tragjedia e Himarës, ku një ditë më parë humbën jetën 13 studente dhe u plagosen disa të tjera. Krahas mbajtjes një minutë heshtje në auditorët e këtij universiteti, në hyrje të Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në ballë të cilit qëndronin flamujt në gjysmë shtizë, u ndezën qirinj dhe u vendosen lule të freskëta.
Pedagogët dhe studentët e Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës gjithashtu kryen dje një homazh në përkujtim të studentëve, që humbën jetën një ditë më parë në Qafën e Vishës, rreth 2 km larg Himarës. Në heshtje të plotë, stafi akademik dhe studentët e këtij universiteti ndezën qiri dhe vendosën lule në qendër të qytetit.
Edhe qytetarë të Korçës, pedagogë dhe studentë të Universitetit “Fan Noli” të këtij qyteti, shkuan dje në orët e para të mëngjesit në spitalin civil të qytetit ku dhuruan gjak në shenjë solidarizimi për humbjen e jetëve të bashkëmoshatarëve të tyre nga Universiteti i Elbasanit, si dhe për të shpëtuar jetën e të plagosurve dhe personave të tjerë në nevojë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›