FA, angazhim maksimal në operacionin humanitar të Himarës
Dhurojnë gjak rreth 400 efektivë të Ushtrisë
Forcat e Armatosura përgjatë gjithë pasdites të së hënës deri në orët e vona të natës dhe gjatë ditës së djeshme kanë vijuar angazhimin e tyre në operacionin humanitar për t’i ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga aksidenti tragjik që ndodhi të hënën në afërsi të Himarës.
Përmes një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes bëhet e ditur se, në operacionet e ndihmës janë angazhuar 486 forca, nga të cilat 25 personel shëndetësor, 32 mjete transporti, nga të cilat 15 autoambulanca, 3 helikopterë etj. Me helikopterët ushtarak janë transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë 10 të plagosur, janë shoqëruar dhe transportuar nga Himara në Vlorë 11 të plagosur dhe 11 viktima, ndërsa janë paraqitur për të dhuruar gjak 372 ushtarakë të FA.
Për t’iu ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga aksidenti tragjik në afërsi të Himarës, Komanda e Forcave Ajrore vuri në dispozicion të operacionit të shpëtimit 3 helikopterë. Ata kryen disa misione fluturimi drejt vendngjarjes dhe bënë të mundur transportimin për në Spitalin Ushtarak në Tiranë të 10 të plagosurve rëndë.
Ndërsa, Forcat Tokësore në mënyrë të shpejtë mobilizuan grupet e gatshme në garnizonin e Zall-Herrit, si dhe dy grupe speciale të pajisur me mjetet e nevojshme për kërkim-shpëtim për nxjerrjen e trupave nga vendi i aksidentit dhe për transportimin e të plagosurve dhe viktimave.
Në mbështetje të operacionit u dërguan edhe Forcat Detare nga Pashalimani dhe Porto Palermo.
Policia Ushtarake që nga dita e djeshme është angazhuar për të siguruar operacionin në ndihmë të të aksidentuarve nga aksidenti i Himarës, në Spitalin Ushtarak në Tiranë, si dhe në vendin e uljes së helikopterëve në Laprakë, në Himarë dhe në Vlorë.
Për këtë u dërguan 50 efektivë të Policisë Kriminale dhe të Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Spitalin Ushtarak me detyrë sigurimin dhe ruajtjen e vendit të uljes së helikopterëve dhe ambienteve të brendshme të spitalit. Për përballimin e kësaj situate të vështirë Spitali Ushtarak u vu plotësisht në gatishmëri dhe u kompletua 100 për qind në forca, mjete dhe personel shëndetësor.
Ndërkaq në Spitalin Ushtarak gjatë gjithë pasdites të së hënës deri në orët e vona të natës janë paraqitur rreth 400 efektivë nga strukturat e Forcave të Armatosura për të dhuruar gjak për të plagosurit që po asistohen me shumë kujdes në këtë institucion shëndetësor.