Jensen-Topit:Danimarka, mbështetje Shqipërisë për në BE

Ambasadori danez Karsten Ankjaer Jensen ka garantuar kreun e shtetit, Bamir Topi për mbështetjen që Danimarka do t`i japë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Në një takim me kreun e shtetit, ambasadori danez theksoi se Mbretëria e Danimarkës do të vazhdojë të mbështesë vendin tonë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian ndërsa ka uruar që kjo të ndodhë në këtë vit ku Shqipëria feston 100-vjetorin e Pavarësisë së saj.
Nga ana e tij, Kryetari i Shtetit theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është objektivi kryesor i politikës së jashtme shqiptare që reflekton dhe synon të përmbushë aspiratën e gjerë të qytetarëve shqiptarë për të qenë pjesë edhe zyrtarisht e familjes evropiane. Topi nënvizoi se për realizimin e kësaj aspirate, duhet angazhimi maksimal i shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij dhe një bashkëpunim intensiv me Presidencën daneze dhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë.
“Objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë dhe ne shpresojmë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian brenda këtij viti, pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura, ku më kryesori është dialogu dhe bashkëpunimi politik institucional.” – theksoi Topi.
Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen, e informoi dhe i paraqiti Presidentit Topi përparësitë e programit të presidencës daneze të radhës së Bashkimit Evropian, ku një vend të veçantë do të zerë vazhdimësia e procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në gjirin e familjes evropiane.