E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jep dorëheqjen trajneri i Hanoverit

Heking ishte nën presion, pasi skuadra e tij u eliminua në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë nga një ekip i kategorisë së katërt dhe nuk arriti të fitojë asnjë nga dy ndeshjet e luajtura në kampionat. Barazimi 1-1 ndaj Maincit të shtunën e kaluar, ishte i fundit për Hekingun, që vetëm dhjetë ditë më parë tha se nuk do ta jepte dorëheqjen, por dje konfirmoi të kundërtën.

Presidenti i klubit, Martin Kind dhe drejtori sportiv, Jorg Shmadtke, pranuan vendimin e tij dhe kanë nisur kërkimet për një trajner të ri. “Ky vendim më ka goditur personalisht, - tha Kind. - Unë e kam njohur dhe e kam admiuar Hekingun si trajner dhe si njeri. Pas një sezoni të vështirë vitin e kaluar, donim të rigjenim entuziazmin për të nisur gjithçka nga e para, por kjo nuk ndodhi. E falenderoj Diter për atë që i ka dhënë ekipit tonë gjatë qëndrimit në Hanover.”
 
Heking e nisi punën e tij në këtë ekip tri vjet më parë, kur erdhi nga Alemania Ahen. Në vitin e parë, ai e renditi ekipin në vendin e tetë, si asnjëherë tjetër në historinë e klubit. Ndërsa vjet Hanoveri doli i 11-ti.

“Pavarësisht nga ky divorc, Hanoveri dhe Heking i kanë shërbyer në mënyrë të devotshme njëri-tjetrit,” - tha drejtori sportiv Shmadtke.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›