E Enjte, 5 Nëntor 2026

Jep dorëheqjen gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska ka paraqitur dorëheqjen.

Lajmin e ka konfirmuar zyra për shtyp e Gjykatës Kushtetuese.

“Në përgjigje të interesimit tuaj ju njoftoj se gjyqtare Elsa Toska ka paraqitur kërkesën për dorëheqje”, thuhet në një reagim të zyrës për shtyp të Gjykatës Kushtetuese.

Me ikjen e Toskës, gjykata mbetet me 8 anëtarë nga 9 që ka në organikë, teksa ende nuk bëhen të ditura motivet e dorëheqjes së Toskës. Mediet raportuan se gjyqtarja ka paraqitur arsye personale për dorëheqjen.

Elsa Toska u votua nga Kuvendi si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, në nëntor të vitit 2019. Ajo u bë një nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. pasi u votua me 105 vota pro dhe 2 kundër nga parlamenti.

Elsa Toska ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ.

Po ashtu, Toska e ka filluar karrierën si ndihmës komisionere e Avokatit të Popullit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›