E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jepen me koncesion 4 HEC-e vendore

Qeveria miratoi në mbledhjen djeshme fillimin e procedurave për dhënien me koncesion të 4 HEC-eve të vogla lokale. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, do të jetë autoriteti kontraktues për dhënien me koncesion të hidrocentraleve, të formës "BOT" (Ndërtim, Operim dhe Transferim), duke kërkuar shprehje interesi dhe të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të skemës, ku përfshihet ndërtimi i HEC-eve. Një nga këto HEC-e do të jetë "Kryezi", për të cilin qeveria miratoi fillimin e procedurave për dhënien me koncesion, si dhe bonusin prej 3% të pikëve për rezultatin, teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), për shoqërinë "OBERALDI", shpk. Për dhënien me koncesion të formës "BOT" (Ndërtim, Operim dhe Transferim), të hidrocentralit "Picar 1", u miratua bonusi prej 3 për qind të pikëve, për shoqërinë "PERIVOLI", shpk. Për ndërtimin me koncesion, të formës "BOT" të hidrocentralit "Seke", u miratua bonusi prej 3 për qind të pikëve, për rezultatin, teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), për shoqërinë "HYDRO-PROJECT", shpk. Ndërsa për dhënien me koncesion të formës "BOT" (Ndërtim, Operim dhe Transferim), të hidrocentralit "Zerec", qeveria miratoi bonusin prej 3 për qind të pikëve, si propozim i pakërkuar, shoqërisë "SHAHOLLI ENERGY", shpk.

Sistemi i Shpërndarjes në KESH, në shitje 76 % të aksioneve

Është përcaktuar paketa e aksioneve që do të shiten nga Shoqëria të Sistemit të Shpërndarjes në KESH. Ndërsa ishte diskutuar mes 51 % dhe 76 % të aksioneve për të dalë në shitje, qeveria ka vendosur dje të shesë shumicën e tyre. Këshilli i Ministrave vendosi dje në mbledhjen e radhës që madhësia e paketës shtetërore të aksioneve të kapitalit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), që do t'u afrohet investitorëve strategjikë, të jetë 76%. Ky vendim mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit “ Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, dhe të neneve 3, 7, 8 e 9, të ligjit nr. 9889, datë 20.3.2008, "Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Operatori i Sistemit të Shpërndarjes", (OSSH)", me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Në garë për privatizimin e OSSH-së, janë kompanitë EVN, CEZ, ENEL dhe "Stetmarker Energy", të cilat në fillim të muajit shtator do të paraqesin në ministri ofertat e tyre. Katër kompanitë të përfshira në garë do të paraqesin ofertat financiare dhe ato teknike në muajin shtator pranë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›