E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat shtojnë kreditorët e këqij



Kredia është produkti më i kërkuar nga konsumatorët në bankat e nivelit të dytë, por bashkë më kërkesën është rritur edhe niveli i kredisë me probleme. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e zhvilluar dje, mori në shqyrtim raportin “Mbi gjendjen e sistemit bankar gjatë tremujorit të parë të vitit 2008”, ku u vu re se për gjatë 3-mujorit të parë 2008 bankat e nivelit të dytë kanë rritur nivelin e kredisë së keqe. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani prej kohësh kishte paralajmëruar rrezikun që do të vinte nga rritja e kreditimit. Fullani ka kërkuar nga bankat e nivelit të dytë të kontrollojnë cilësinë e kredisë me qëllim që të mos rritet niveli i kredisë me probleme. Sipas raportit të miratuar dje nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vërehet se tremujori i parë i vitit 2008 shënon rritjen e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me 25.2 për qind nga 12.2 për qind, që ishte rritja e këtij treguesi për tremujorin e mëparshëm. Treguesi që mat cilësinë e kredive të sistemit (i llogaritur mbi baza bruto dhe që sipas standardeve, përfshin kreditë e klasifikuara si “nënstandard”; “të dyshimta” dhe “të humbura”) prezantohet i përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit 2008, në nivelin 3.92 për qind nga 3.36 për qind në fundvitin 2007. Po sipas raportit të BSH-së, treguesi “Fonde rezervë për kreditë me probleme/Kredi me probleme” tregon për përkeqësim të strukturës së kredive me probleme drejt klasave më të ulëta të klasifikimit dhe konfirmon rritjen e mëtejshme të kredive me probleme. Treguesi përllogaritet në nivelin 48 për qind nga 47.2 për qind, në fund të tremujorit të katërt të vitit 2007. Pavarësisht rritjes së kredisë me probleme, kredia në vetvete vazhdon të shënojë rritje gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2008, por sidomos kredia në valutë. Sipas raporti të BSH-së, dinamika e portofolit të kredive sipas monedhave, këtë tremujor ka një rritje relative thuajse 2 herë më të lartë të kredisë në monedhë të huaj kundrejt asaj në monedhën vendase. Gjatë këtij tremujori, kredia në monedhën vendase u rrit me 3.8 miliardë lekë ose me 4.74 për qind, ndërkohë që kredia në monedhë të huaj shënoi rritje me rreth 17.1 miliardë lekë ose rreth 8 për qind. Po kështu, gjatë 3-mujorit të parë 2008, analiza e dinamikës së strukturës të portofolit të kredive konstaton një ritëm më të lartë rritjeje për portofolin e kredive dhënë individëve, me 7.94 për qind, kundrejt rritjes së portofolit të kredive dhënë bizneseve, me rreth 6.55 për qind. Ky tremujor prezanton rritjen e kredisë akorduar sektorit publik me 13.3 për qind, në krahasim me tremujorin e mëparshëm.

Ndërkaq, në 3-mujorin e parë 2008, Banka e Shqipërisë ka vënë re rënien e numrit të bankave, pas bashkimit të dy bankave, rrjedhimisht edhe ndryshim në strukturën e grupeve. Sistemi bankar ka vijuar me rritjen e aktiveve me 3.6 për qind, kundrejt 6 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2007. Ndikimin kryesor në rritjen e aktiveve të sistemit bankar, për tremujorin e parë të vitit 2008, e dhanë “veprimet me klientët”, të cilat u rritën me 7.13 për qind dhe me një peshë specifike prej rreth 40.7 për qind të totalit të aktiveve, si edhe “veprimet me letrat me vlerë”, të cilat u rritën rreth 6.98 për qind.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, totali i aktiveve dhe zërave jashtë bilancit të klasifikuar sipas rrezikut, u rrit me 5.7 për qind, krahasuar me fundin e vitit 2007. Ndërsa, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin, në fund të tremujorit të parë të vitit paraqitet i qëndrueshëm në nivelin 17.2 për qind, nga 17.1 për qind në fund të vitit 2007.

Rezultati neto i sistemit bankar për tremujorin e parë të vitit 2008 raportohet rreth 2,418.15 milionë lekë ndaj 2,755.64 milionë lekëve që ka rezultuar në tremujorin e katërt të vitit 2007. Po dje, Këshilli Mbikëqyrës vendosi “Për rishtypjen e monedhës metalike shqiptare me kurs ligjor, të prerjes 1 Lek”, si dhe miratoi dokumentin “Politika e mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes”.

Ligji për legalizimet thjeshton skemën e legalizimit të ndërtimeve pa leje

Drejtuesit e Ministrisë së Punëve Publike Transport dhe Telekomunikacionit janë të mendimit se ligji për legalzimet do të thjeshtojë realizimin e skemës të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi të hënën ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”. Ndryshimet dhe shtesat e bëra në ligj do të mundësojnë zgjidhjen e një sërë problematikash të hasura gjatë procesit të implementimit të ligjit nr. 9482. Ato synojnë: Së pari, të thjeshtojnë skemën e legalizimit të ndërtimeve informale duke e fokusuar procesin mbi ndërtimin informal dhe parcelën e tij ndërtimore dhe duke eliminuar një sërë procedurash të panevojshme që kanë të bëjnë me formalizimin e territoreve masive, siç ishin zonat dhe vendbanimet informale. Ndryshimet e bëra përcaktojnë në mënyrë të qartë dhe të saktë kategorinë e ndërtimeve që do të jenë objekt i këtij ligji, sikurse dhe procedurat e institucionet që do të angazhohen për legalizimin e ndërtimeve informate, ndërkohë që dispozitat e shfuqizuara bëjnë të mundur kapërcimin e disa hapave proceduralë të panevojshëm. Së dyti, përmbushjen në kohë të çdo detyrimi ligjor. Ligji përcakton afatet konkrete për realizimin e procesit të kompensimit të pronarëve të ligjshëm dhe saktësimin e ndarjen përgjegjësive ligjore, ndërmjet ALUIZNI-t dhe njësive të qeverisjes vendore në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale. Përcaktimi i afatit ligjor ka për qëllim shmangien e zvarritjeve që mund të vijnë nga mungesa e kapaciteteve, neglizhenca apo ndonjë pengesë tjetër nga ana e organeve të pushtetit lokal dhe në rast të mosushtrimit të këtyre përgjegjësive brenda këtij afati, ato do të ushtrohen nga ALUIZNI, si institucioni shtetëror përgjegjës për kryerjen e legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të ndërtimeve pa leje. Së treti, bërjen sa më eficente të skemës së dëmshpërblimit të pronarëve të ligjshëm, nëpërmjet vendosjes së afateve konkrete lidhur me kryerjen e procedurave të kompensimit. Në ligj përcaktohet detyrimi i ALUIZNI-t që të dërgojë për vendimmarrje në Këshillin e Ministrave, listën e të dhënave për çdo pronar të ligjshëm dhe sipërfaqet takuese të tyre. Ky proces do të nisë në datë 1 gusht 2008 dhe do të ndjekë një rregullsi të caktuar, që nënkupton dërgimin e listave në mënyrë periodike jo më vonë se 30 ditë nga data e dërgimit të listave paraardhëse. Ky ndryshim, por edhe ai i afatit për kompensimin e pronarëve të ligjshëm nga 6 muaj në 3 muaj, e bën më dinamik këtë proces. Nisur nga situata problematike ndërtimore që paraqitet në zonat turistike, ligji parashikon gjithashtu kualifikimin e duhur të ndërtimeve informale të ngritura në territoret me përparësi zhvillimin e turizmit. Ndryshimet dhe shtesat e bëra në ligj janë në funksion të ndryshimeve thelbësore të kryera në ligjin nr. 9482, datë 3.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa lej

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›