Jerat, duet me Muçiqin
Me ardhjen e Wolfgang Jeratit në krye të shtabit teknik, shumëçka ka nisur të ndryshojë në skuadrën e FC Prishtinës.
Trajneri gjerman në mënyrë të çuditshme e pati nisur punën në skuadrën bardhekaltër. Gjithë futbollistët e ekipit kishin udhëtuar me vetura ‘Taxi’ prej qendrës së qytetit drejt një fushe të futbollit për ta zhvilluar seancën e parë stërvitore me gjermanin.
Më pas, ish-trajneri i Kolnit, Wuppertalerit dhe Bonnerit i kishte udhëzuar futbollistët e tij të vraponin nëpër qytet. Po ashtu, me djelmoshat e tij, Jerat ka punuar edhe brenda restorantit ‘Prishtina’, i cili gjendet në stadiumin e kryeqytetit.
Por ‘çudirat’ e Jeratit nuk përfundojnë me kaq. Ai me bardhekaltrit aktualisht janë Mal të Zi, duke e zhvilluar një fazë përgatitore para fillimit të stinorit pranveror.
Atje po punojnë shumë, por duket se edhe po kënaqen duke u argëtuar. Në një video-incizim të publikuar në rrjetin social Facebook, shihet se bardhekaltrit kishin organizuar edhe një aheng, brenda hotelit ku janë të vendosur. Aty prezentë ishin gjithë futbollistët dhe anëtarët e shtabit teknik, pa veshje solemne, por me të atilla sportive.
Para lojtarëve kanë kënduar këngëtari i njohur, Afrim Muçiqi, i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar i këtij klubi, bashkë me trajnerin Wolfgang Jerat dhe ndihmësin e tij gjerman.
Sipas Muçiqit, kjo po bëhet me qëllim që të lidhen sa më shumë shpirtërisht futbollistët mes veti, bashkë me trajnerët, gjë që mund të ndikojë shumë në suksesin që e kërkon ky ekip në të ardhmen.
“Në këtë fazë përgatitore po punohet shumë. Kur është koha e punës, punohet me seriozitet të jashtëzakonshëm, kurse kur është koha e argëtimit, ekipi argëtohet. Është e vërtetë se në atë kohë argëtimi, para lojtarëve kam kënduar unë, bashkë me trajnerin Jerat, por edhe me ndihmësin e tij nga Gjermania. Me këtë janë befasuar ekipet e tjera nga Superliga e Shqipërisë dhe kjo ka bërë që atmosfera në skuadër të jetë jashtëzakonisht e mirë dhe nga kjo rezultatet do të shihen më vonë”, ka deklaruar Muçiqi për Express, të dielën.
Sipas tij, ngjarjet si kjo janë ‘mjete’ të punës të trajnerit gjerman. Sipas tij, Jerat tashmë ka nisur ta instalojë frymën e futbollit gjerman në ekipin e bardhekaltër.
“Me gjithë respektin për trajnerët e deritanishëm të Prishtinës, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar, Jerat ka prurë një frymë të re nga Bundesliga. Është hera e parë që një ekip kosovar po stërvit tri herë në ditë, me një seriozitet të jashtëzakonshëm. Një orar tepër i mirë, i ndarë për të punuar shumë, por edhe për t’u argëtuar. Ushqimi për futbollistë vazhdimisht përgatitet me orar të saktë dhe rezultatet nga kjo po shihen në ndeshjet miqësore që po i zhvillojmë në Mal të Zi”, theksoi Muçiqi.
Sipas tij, Jerat është duke punuar sigurt në përgatitjen e Prishtinës për garat evropiane. “Ai tashmë në ekip i ka përfshirë dymbëdhjetë lojtarë nën moshën 18 vjeç, të cilët janë bërë bartës të ekipit në këtë fazë përgatitore. Në këto ndeshje miqësore ka futur lojtarë edhe të moshës 16 vjeç. Sipas tij, lojtarët e këtyre gjeneratave po kushtojnë me miliona euro nëpër Evropë, andaj qasja e tij është tepër e rëndësishme për klubin tonë”, pohoi Muçiqi, i cili beson se me Jeratin, Prishtina do ta fitojë titullin e kampionit në 90-vjetorin e themelimit të klubit.
Edhe në Gjermani, Jerat njihet si trajner shumë i mirë, por edhe kontrovers. Sipas mediave të atjeshme, Jerat shpesh nuk udhëton me skuadrën, kur kanë ndeshje si mysafirë, por me makinën e tij private. Madje shumë herë në vend të ‘hotelit’, ka fjetur edhe në makinë. Sipas mediave gjermane, ai shumicën e kohës e kalon me qenin e tij, të cilin preferon ta ketë edhe gjatë stërvitjeve.