E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riorganizohet Gjilani

Gjilani është riorganizuar tërësisht në pozitat udhëheqëse të klubit, gjatë një takimi që e kanë mbajtur të dielën pesëmbëdhjetë anëtarët e Kryesisë.

Kështu, Raif Bajrami është emëruar kryetar i ri i Gjilanit, e cila pozitë kishte mbetur e zbrazët pas dorëheqjes së mëhershme të Murat Hoxhës.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Bajrami për Express, i cili i konfirmoi edhe ndryshimet në krye të Shtabit Teknik, ku përfundimisht posti i trajnerit iu është besuar Sallah Sherifit, derisa trajnerit të deritanishëm, Muharrem Sahitit i është ndarë pozita e drejtorit ekzekutiv.

“Në këtë mbledhje, e cila kishte një atmosferë të mirë, unë jam emëruar kryetar, kurse nënkryetarë Shukri Sylejmani, Fadil Dubova e Bekim Rexhepi. Hafiz Gashi vazhdon ta kryejë detyrën e drejtorit sportiv, kurse Muharrem Sahiti është emëruar drejtor ekzekutiv, dhe Sallah Sherifi trajner”, ka deklaruar Bajrami, i cili është i bindur se skuadra e tij do ta sigurojë pa problem mbijetesën në Superligë, gjatë pranverës, pas gjithë këtij riorganizimi.

Por, Muharrem Sahiti thotë se do ta shqyrtojë këtë post që i është ofruar nga krerët e klubit.

“Pas largimit të Murat Hoxhës, unë thuajse veç pata dhënë dorëheqje dhe pata deklaruar se nëse shihet e nevojshme mbështetja ime për Gjilanin, do ta bëj atë në çdo mënyrë. Meqenëse Kryesia e ka ndarë këtë pozitë për mua, unë do ta shqyrtoj, sepse bëhet fjalë për një nga pozitat kyçe të klubit dhe nuk është e lehtë të merret shpejt një vendim”, u shpreh Sahiti për Express.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›