E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeremic lobon në Amerikën Latine: Mos njihni Kosovën

SAN SALVADOR- Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, që po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Shteteve Amerikane (OSHA), ka thënë të martën se në javët e kaluara “po shtohet presioni në vendet e Amerikës Latine, posaçërisht të Karaibeve, që të njohin Kosovën”.

“Është me rëndësi vendimtare që të mos tërhiqemi nga aktivitetet diplomatike rreth mosnjohjes së Kosovës”, ka thënë Jeremic, duke shtuar se “kjo nuk është detyrë e lehtë”.

“Për këtë arsye duhet të jemi prezentë në të gjitha takimet ndërkombëtare, sepse askush nuk do ta bëjë këtë në vend tonin”, ka thënë ai.

“Nga suksesi i aksionit diplomatik që Prishtinës t’ia mbyllim derën në organizatat ndërkombëtare do të varet drejtpërdrejtë edhe gatishmëria e tyre që të pajtohen me koncesione në procesin negociator”, ka thënë Jeremic, i cili gjatë qëndrimit në San Salvador pohohet se po takon ministrat e jashtëm të shumë shteteve të Amerikës Latine.

Sipas agjencisë së lajmeve FoNet, Serbia është vendi i parë në rajon që ka statusin e vëzhguesit në OSHA, ndërsa kërkesa që Kosova ka dërguar për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate të shteteve amerikane është refuzuar “me arsyetimin se në takim mund të marrin pjesë vetëm shtetet e njohura”.
(m.a/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›