Jessica Biel, Seks simboli i kinemasë amerikane
Në vitin 2005, brenda pak muajsh, Jessica Biel u zgjodh nga revista mujore “Esquire”, “Ylli femëror i së ardhmes”. “Natyrisht që një kompliment është më i bukur se një ofendim, por janë dy gjëra krejt të kundërta”, thotë sot 28-vjeçarja, me gjithë ëmbëlsinë e saj. Filmi i radhës ku do të interpretojë titullohet “A-team”, marrë nga seriali televiziv popullor i viteve ‘80. Praktikisht, në kastë, është e vetmja femër: personazhi i saj është një hetuese e qeverisë, e cila vihet në ndjekje të katër veteranëve të Vietnamit, të cilët janë akuzuar për një krim që nuk e kanë kryer. është një rol aksion që i shkon përshtat, duke qenë se ka edhe një fizik perfekt. “Para shumë vitesh, idhulli im ishte Mia Hamm, mesfushorja e avancuar e Kombëtares amerikane të futbollit për femra”, thotë aktorja. “Kam një trup sportisteje, sepse jam një futbolliste e zonja”.
Nofka juaj është “The Body”, (trupi)...
Për mua, ky është një kompliment, apo jo?
Nuk do të preferonit t’iu quanin “The Brain”?
Le të themi se, e para është më e vështirë për ta demonstruar, e dyta nuk është diçka e domosdoshme që të ndihmon të fitosh një provim në Hollivud. Idealja do të ishte të gjendej një ekuilibër. Nëse je shumë e bukur, nuk mendojnë se mund të luash role të caktuara, ndërsa nëse je shumë serioze, nuk mendojnë se je joshëse. Duhet medoemos të gjesh një ekuilibër.
Ju është dashur të bëni stërvitje të veçantë për filmin “A-team”?
Si të gjithë aktorët meshkuj, kam bërë një kurs përgatitor me Paul Maurice, mjeshtër i strategjisë ushtarake, për të mësuar teknikat e ndryshme të sulmit, mbrojtjes dhe përdorimit të armëve. Nuk është hera e parë që mbaj në duar një pistoletë, por për të qëlluar po dhe ju siguroj se është më e rëndë e më e zhurmshme nga ç’mund ta imagjinoni.
Kur vendosët të bëheshit aktore?
Nuk më kujtohet, duhet të pyes mamanë, ajo e di më mirë se unë kronologjinë. E gjora, ç’nuk i punoja që të më shoqëronte në çdo provim të mundshëm.
Cili ishte modeli juaj?
Julia Roberts, sepse ishte karagjoze, por në mënyrë inteligjente, bukuroshe, por jo në mënyrë provokuese. Për mua ishte e përkryer. Sot me pëlqen Maggie Gyllenhaal, sepse di të kalojë nga një lloj filmi në një tjetër, pa pasur frikë.
Për cilin aktor kishit dobësi?
Johnny Depp dhe nuk mendoj se janë të nevojshme arsyet.
Ju pëlqen ende? Apo është shumë i moshuar?
Bradley Cooper në filmin “A-team” është vetëm shtatë vjet më i madh se unë, dikur Eric Norton në filmin “The illusionist” ishte 13, Jamie Foxx në filmin “Valentino” ishte 15, Nicolas Cage në filmin “Next” ishte 16, Colin Firth “Easy Virtue” ishte 22. Me këtë dua t’iu them se për mua nuk përbën asnjë problem mosha e tij. Ai mbetet pika ime e dobët. Shpresoj që kur të jem 40 vjeçe, të më bjerë në dorë ndonjë bukurosh 27-vjeçar. Nuk e kuptoj arsyen pse ajo që është e natyrshme për meshkujt, nuk duhet të jetë edhe për femrat. Po shpresoj të bëhem një “cougar”! (në Amerikë cilësohen kështu femrat që kanë një partner më të ri se vetja).
Ju keni edhe një shtëpi produksioni tuajën? Pse?
Do të më pëlqente të prekja personazhe dhe tema më të ndryshme për veten dhe femrat në veçanti. Industria kinematografike vazhdon të jetë shumë maskiliste. Pastaj është problemi i të mësuarit: kërkoj shumë nga vetja, dua të kuptoj se si funksionon puna që bëj, struktura e një filmi, përgatitja dhe ana ekonomike e saj. Mbase një ditë, kur të jem mërzitur nga të qenit gjithmonë në qendër të vëmendjes, do të vazhdoj të punoj në botën e kinemasë, por jo më si aktore.
Këtë vit i jeni ngjitur Kilimanxharos. Si ju shkoi?
Kanë qenë vërtet ditët më të sikletshme të jetës sime. Nëse do të më vinin përballë zgjedhjes se çfarë do të më pëlqente të bëja, t’i ngjitesha malit, apo të bëhesha aktore, do të zgjidhja të dytën. Megjithatë ky nuk ishte një marifet nga ato që jam mësuar të bëj: me një grup miqsh donim të sensibilizonim opinionin publik për shpërdorimin e ujit në botë. Jam krenare që arrita në majë. Vitin tjetër, gjysma e miqve do t’i ngjiten Everestit.
1 Në venat e aktores Jessica Biel rrjedh gjak gjerman, francez, anglez
2 Në vitin 2000, në moshën 17-vjeçare, Jessica u largua nga seriali televiziv “Qielli i shtatë”, për shkak të një shërbimi fotografik mjaft provokues në revistën “Gear”. Shumë mendojnë se këtë gjë e bëri me qëllim për t’u çliruar nga një punë, e cila e pengonte që t’i përkushtohej kinemasë
3 Kur Jessica xhiroi filmin “Next” me Nicolas Cage, marrë nga tregimi i Philip K Dick, zbuloi se autori kishte vdekur më 2 mars të vitit 1982, një ditë para lindjes së saj
4 Filmi “Powder Blue”, ku interpretonte një striptiste, nuk shkoi dhe aq mirë: doli menjëherë në DVD
5 Jessica është një nga aktoret më të angazhuara për të luftuar anoreksinë. “Zoti e bekoftë Jennifer Lopez. është absurde të kesh një pamje prej të sëmureje”, thotë ajo. “Dua të bind të rejat se pak shëndet këtu, ose atje nuk ka ndonjë problem, njësoj si muskujt: duhet ta vlerësoni më shumë shëndetin”.
6 Një darkë me të vlen 30 mijë dollarë. Kështu ndodhi në vitin 2006 kur i boshatisi xhepat në një ankand, një fansi nga Minesota, për të paguar shpenzimet e një vajze nga Kolorado, të lënduar në një aksident automobilistik.
#