Kërkojmë të sjellim trurin në Shqipëri, por e pengojmë me barriera ligjore
Procesi i modernizimit të universiteteve shqiptare dhe përafrimi i tyre me standardet më të përparuara, kërkon një bazë ligjore të plotë dhe efektive.
Por, sa efektive është kjo bazë ligjore dhe a u paraprin këtyre zhvillimeve? Në një analizë të detajuar, konkluzioni është mohues(!)
Për ta argumentuar këtë mjafton të shohim disa prej neneve të ligjit “Për Arsimin e Lartë”, apo projektligjit përkatës.
Në nenin 20 pika 2, përcaktohet se, “Autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë: rektori dhe dekani/drejtori, duhet të kenë, të paktën, titullin “Profesor i asociuar”, ose gradën shkencore “Doktor”, të fituar pranë universiteteve perëndimore dhe me përvojë akademike në këto universitete. "Më tej, në nenin 23, pika 1 përcaktohet gjithashtu se, “Organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë zgjidhen për një mandat 4-vjeçar. Autoritetet drejtuese nuk mund të rizgjidhen për dy mandate radhazi në të njëjtin funksion".
Duke vazhduar më tej, në nenin 22 të projektligjit të fundit, citohet se, “... Autoritetet drejtuese të njësive kryesore dhe të rektorateve të IAL-ve publike, nuk kanë të drejtë të angazhohen me kohë të plotë ose të pjesshme, në veprimtari mësimdhënieje, kërkim apo veprimtari të tjera në IAL të tjera, publike ose private, brenda ose jashtë vendit”. Pra, neni 20 kërkon ekskluzivisht profesorë, ose “Doktorë”, me përvojë në universitetet perëndimore, që të konsiderohen për pozicione drejtuese në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Këtu shfaqet qartë natyra diskriminuese e këtij ligji, kundrejt profesorëve dhe doktorantëve të diplomuar dhe me përvojë në Shqipëri. Madje, në një interpretim literal të këtij ligji, nënkuptohet pamundësia e kandidimit të këtyre personave për pozicione drejtuese. Duke u aplikuar në realitetin e sotëm në Shqipëri, kjo gjë e zbeh forcën dhe efektivitetin e ligjit në fjalë, pasi shumica e autoriteteve drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, janë diplomuar në Shqipëri dhe përvojën e tyre akademike e kanë të fokusuar tek universitetet shqiptare. Duke qenë se, nuk ka dhe nuk parashikohet një mundësi alternative në këtë dispozitë për doktorantët brenda vendit, atëherë natyrshëm nxjerrim konkluzionin se kemi në fuqi një ligj që nuk ka sesi dhe nuk mund të respektohet plotësisht.
Përmes nenit 20 të sipërcituar të Ligjit të Arsimit të Lartë, synohet që, parimisht dhe për nevoja të padiskutueshme, të tërhiqen profesorët shqiptarë të diplomuar në universitete perëndimore, me gradën shkencore të paktën “doktor” dhe me përvojë pune në këto universitete.
Natyrisht, këto janë kritere të pranueshme për të tërhequr më të mirët. Por, dikush që plotëson këto parametra, e ka afirmuar veten në këto vende ku, paga minimale vjetore për intelektualë të tillë është në $70.000. Përkundër këtij fakti, paga minimale për një dekan, apo rektor në Shqipëri, shkon në 14 milionë lekë (të vjetra)”, duke përfshirë edhe taksat. Në këto kushte dhe qoftë edhe vetëm për këtë fakt, sa e madhe është mundësia që këto profesorë me përvojë në universitete perëndimore të marrin nismën dhe të vijnë për të shërbyer me ndershmëri dhe përkushtim në universitetet shqiptare? Shumë e vogël(!) Përballë një realiteti të tillë mendoj se, mënyrat për të tërhequr këta persona në universitetet shqiptare janë dy. Së pari, paga e autoriteteve drejtuese në universitetet tona të jetë e barabartë ose diçka më tepër nga ajo që intelektualë të këtyre niveleve përfitojnë në vendet perëndimore. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që, një profesor shqiptar mund të angazhohet në një universitet perëndimor për shkaqe financiare dhe, njëkohësisht, të sakrifikojë për të përmbushur detyrat dhe funksionet që ka marrë përsipër në një institucion të arsimit të lartë në Shqipëri. A është e mundur të realizohet kjo? Faktet tregojnë se, ata persona që kanë marrë përsipër një mision të tillë, kanë arritur t’ia dalin me sukses, gjë që është shoqëruar me rezultate konkrete. Por, përkundër këtij realiteti, në nenin 22 të projektligjit ”Për Arsimin e Lartë”, kërkohet heqja e të drejtës të “autoriteteve drejtuese për t’u angazhuar në veprimtari mësimdhënieje, kërkim apo veprimtari të tjera në IAL të tjera publike, ose private, brenda ose jashtë vendit”. Nisur nga kjo, dalim në përfundimin se, ne kërkojmë profesorë shqiptarë të diplomuar dhe me përvojë në universitete perëndimore, por t’i paguajmë ata minimalisht me më pak se 1/6 e pagës që mund të marrin atje, njëkohësisht duke mos u krijuar mundësitë të realizojnë dhe të përmbushin idetë e tyre si drejtues. Kjo e fundit, përforcohet edhe nga fakti se, në nenin 23 pika 1 në ligjin “Për Arsimin e Lartë”, përcaktohet se, autoritetet drejtuese kanë të drejtë të kandidojnë vetëm një herë për një mandat 4-vjeçar, ndërkohë që pas mbarimit të tij nuk u lejohet rikandidimi.
A është e mundur që, një universitet shqiptar të reformohet dhe të hyjë plotësisht në rrjedhat e modernizimit brenda një periudhe 4-vjeçare? Përvoja ka treguar se, kjo është e pamundur. As 4 dhe as 8 vjet nuk do të mjaftonin për ta shndërruar një universitet shqiptar në standardet perëndimore. Atëherë pa asnjë ekuivok mund të themi se, politika 'inkurajon' publikisht ardhjen e intelektualëve shqiptarë nga jashtë shtetit, por, praktikisht ngre përballë tyre një barrierë ligjore. Nisur nga kjo mendoj se, neni 20 në pikën dy, i shërben rritjes së cilësisë dhe padyshim që duhet të qëndrojë, por pasi t’i jenë bërë përmirësime që, mënjanojnë fenomenin e mësipërm, pra efektin diskriminues. Nga ana tjetër, ky nen i trajtuar së bashku me dy nenet e tjera: nenin 22 të ligjit ekzistues të arsimit të lartë dhe nenin 23 të projektligjit të arsimit të lartë, krijojnë një kontradiktë të pashmangshme mes asaj që thuhet dhe deklarohet dhe asaj që synohet të realizohet në praktikë; kërkohet të tërhiqen intelektualët shqiptarë me përvojë në universitetet perëndimore dhe nga ana tjetër praktikisht e bënë të pamundur këtë gjë. Nëse duam vërtetë që të tërheqim dhe të sjellim në Shqipëri intelektualët shqiptarë, ose të mbajmë brenda vendit ata që me guxim të madh e kanë ndërmarrë këtë iniciativë, nevojitet që, neni 23, pika 1 të shfuqizohet dhe fjalia e dytë e nenit 22 në projektligjin “Për Arsimin e Lartë”, të hiqet plotësisht. Nëse nuk bëhet një gjë e tillë, ligji ka efekt demoralizues për prurje të reja dhe njëkohësisht dëbues për ata profesorë që aktualisht janë në vend dhe po modernizojnë universitetet ku ata shërbejnë. Mosndryshimi do të shoqërohet me pasoja negative për arsimin e lartë në Shqipëri, që rrezikon të qëndrojë në stanjacion përmes ligjeve të tilla.
Dorian Tozaj, Zv.rektor i Universitetit të Vlorës
#