E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta dhe karriera në libër e tenorit Xhoni Athanas

Një jetë dhe karrierë e ndarë mes tre kontinenteve është ajo e tenorit shqiptar Xhoni Athanas.

Këtë përpiqet të tregojë nëpërmjet librit "Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti" gazetari Anxhelo Xhaçka. Mungesën e tenorit në prezantimin e djeshëm në hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ai e justifikoi, jo me pamundësinë fizike të artistit për të udhëtuar nga Amerika, por me faktin se nuk do të duronte një ngarkesë të tillë emocionale.


Artisti i lindur në SHBA nga prindër emigrantë shqiptarë, erdhi në moshë të vogël në Shqipëri. Studimet do t'i kryente në Konservatorin "Çajkovskij" në Moskë, për kanto.
Në vitin 1957 Athanas kthehet në Shqipëri për tu bërë pjesë e jetës kulturore të vendit deri në vitin 1995, kohë kur largohet për në vendlindje Masaçusets, SHBA.


Për këtë libër autori thotë se ka shfrytëzuar burimin më të mirë që mund të ekzistonte, Xhon Athanasin. I janë dashur dy vite për të mbledhur kujtimet e tij dhe të miqve. Përfundimi është një libër që Xhaçka e cilëson si një botim publicistik.

Ai rrëfen jetën e tenorit në mënyrë kronologjike: fëmijëria, formimi në Shqipëri dhe Rusi, aktiviteti si artist fillimisht në Korin e Ushtrisë e më pas në TOB, për të përfunduar me jetën e tij në SHBA.


Në historinë e skenës shqiptare Xhoni Athanas, përmendet për rolin e Skënderbeut në operën me të njëjtin titull, të Prenk Jakovës.

Tenori ka interpretuar shumë role në opera shqiptare dhe të huaja ku mund të përmenden Doda tek opera e parë shqiptare "Mrika", Sazani tek "Pranvera", Dhimitri tek "Lulja e Kujtimit" apo Bash Murgjinin tek "Borana", për të vijuar me Don Bazilion, tek "Berberi i Seviljes", Manrikon, tek "Il Trovatore", Borsën tek "Rigoleto"etj.


Luan Starova, mbrëmje letrare në Pogradec


Ambasada e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë organizon në Pogradec një takim me shkrimtarin Luan Starova. Në orën 17:00, në Pallatin e Kulturës së këtij qyteti do të diskutohet mbi veprën e shkrimtarit me origjinë shqiptare. Starova është autor i disa veprave si "Kufijtë e pranverës", "Njerëz dhe ura", "Koha e dhive", "Çelësi ballkanik", "Muzeu Ateistik" ,"Kështjella prej hiri" etj. Anëtari i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve është fitues i çmimit "Jean Monnet" për romanin më të mirë evropian.


Miku im më i mirë


Aktivitet i radhës i muajit të "Pranverës së Frankofonisë" propozon komedinë e regjisores Patrice Leconte "Miku im më i mirë". Filmi shfaqet në orën 18:00 në ambientet e Aleancës Franceze. Një fjalë e urtë thotë se duhet një jetë e tërë për të kuptuar miqësinë e mirë ndërsa Fransua (Daniel Auteuil) ka vetëm dhjetë ditë kohë për të kuptuar se kush është miku i tij më i mirë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›