Shqipëria në NATO, Berisha takon Uidhersin
Kryeministri Berisha zhvillon një takim me ambasadorin dhe zv.ambasadorin e SHBA-së në Tiranë
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha, zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, ku diskutuan mbi Samitin e NATO-s në Strasburg, në datat 3-4 prill 2009, dhe ku Shqipëria pritet të bëhet anëtare e plotë e Aleancës të Atlantikut të Veriut.
Duke e cilësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si ngjarjen më të madhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë pas pavarësisë së saj, Kryeministri Berisha i shprehu ambasadorit Withers mirënjohjen për përkrahjen dhe ndihmën, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeveria amerikane, në veçanti ish-Presidenti Bush dhe tashmë Presidenti Obama dhe administrata e tij, i dhanë Shqipërisë për realizimin e këtij projekti.
Gjatë takimit të zhvilluar dje në ambientet e Kryeministrisë, është diskutuar gjerësisht edhe mbi procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, që do të zhvillohen më 28 qershor.
Kryeministri Berisha e siguroi ambasadorin amerikan se, "qeveria shqiptare është e angazhuar dhe po bën çdo përpjekje për të garantuar suksesin e tyre, si zgjedhjet më të mira të realizuara ndonjëherë në Shqipëri, të lira e transparente, konform të gjitha standardeve ndërkombëtare".