E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeta e fotografuar në kuadratin bardh e zi

Në këtë set fotografish janë paraqitur pasazhe nga jeta e viteve 70 përballë viteve 2010-2012. Përballë janë vendosur një foshnjë e viteve 70 përballë me atë të viteve 2012. Në këtë përballje dekadash janë vendosur: Dy fëmijë të shkollës fillore, dy të shkollës 9-vjeçare

Emanuela Sako

Me flokë të çrregullta e të hapërdara në drejtimin që duan vetë, të veshur me pantallona dok apo terital dhe me një eufori që nuk dihet se nga u buronte, mund të përshkruhen të rinjtë e viteve 70. Çdo epokë ka trendet dhe bukurinë e saj, po ndryshe ndodhte me të rinjtë e këtyre viteve nën një regjim komunist, ku ne sot të gjithë i shohim vetëm bardh e zi. Të rinjtë shqiptarë të atyre viteve janë uniform në veshje dhe në modelin e flokëve. Shekulli në këtë shkrim bën një krahasim nëpërmjet fotove, duke filluar me foshnjërinë e viteve 1970, e deri tek intelektualët e kohës. Shprehja e karaktereve të asaj kohe ka qenë pothuajse e njëjtë për çdo kategori. Foshnjat ishin të veshura pothuajse njëlloj; nxënësit, gjimnazistët, studentët, punëtorët përbëjnë një ekspoze të veçantë dhe tipike të një epoke që ka mbetur e fotografuar vetëm në ngjyrat bardh e zi.

Momenti i fotografimit

Madje edhe kur donin të dilnin në fotografi zgjidhnin rroba me ngjyrat më të bukura, a thua se për ta përfytyrimi i asaj fotoje do të mbetej me ngjyrat më të ndezura. Ky moment ishte unik për të gjithë, duke filluar që nga fëmijët, prindërit e tyre dhe sidomos punëtorët e kooperativave dhe ndërmarrjeve. Këta të fundit duhet të ishin të detyruar që të dilnin sa më bukur në fotografi. Buzëqeshja dhe shprehja e lumturisë në publik, ishte çështje etike e asaj kohe. Ata duhet të ishin të kënaqur, që punët në ara po ecnin mbarë, gruri dhe misri po rritej, prodhimi mbulonte të gjitha nevojat e popullit etj. Këto duhet të ruheshin thellë në kujtesë, në foto që sot përveç nostalgjisë, të gjithë ndjejnë një dhimbje nga varfëria e kohës dhe nga paradoksi që edhe pse me barkun bosh, duhet të tregonin lumturi para të tjerëve.

Modelimi i veshjeve

Të rinjve të sotëm u duket diçka sureale dhe shekullore çdo detaj i asaj kohe, si në mënyrën e veshjeve edhe në organizimin e jetës. Por, personazhet e kohës tregojnë se ka qenë një epokë më vete, ku edhe ata kanë pasur tendencat e kohës dhe e ndiqnin modën. Jo nëpërmjet televizioneve dhe pasarelave, por me copat dhe modelet e fundit që dilnin nëpër Mapot e mëdha. Meshkujt janë të veshur me pantallona me belin lart dhe pak të gjera nga fundi, ndërsa duhet të mbanin veshur ndonjë këmishë ose ndonjë bluzë me prerje standarde, të gjerë njëlloj në shpatulla dhe në bel. Ndërsa flokët janë gjithmonë të lëna pa formë, por të gjithë e dinë se si nuk duhen dhe jo se si duhen. Ata nuk duhet ti lënë të gjata dhe nuk duhet ti mbajnë të shkurtra me modele perëndimore. Ndërsa vajzat, kanë flokë kaçurela dhe fustane poshtë kupës së gjurit. Fustanet kishin një gjerësi normale, pothuajse sa hapi që ato bënin. Në mënyrë që të mos tregonin format e trupit si sot, por edhe të mos pengoheshin duke ecur. Në një set fotografish, të shfaqur më poshtë, do të shohim transformimin e njerëzve në 4 dekadat e fundit.

Të lumtur nëpër ara

Puna në ferma apo nëpër fushat e pafundme ishte një lumturi më vete për punëtorët e kooperativës. Të zellshëm dhe të flaktë në mbrojtjen e vendit dhe mbarëvajtjen e të mbjellave, ata nuk e ndjenin vapën apo lodhjen e tepërt. Ndërkohë që femrat punonin përkrahë me meshkujt, pasi dallimet gjinore nuk lejoheshin. Ata punonin me orë të zgjatura dhe paguheshin në bazë të normës. Ndërsa paradoksi ishte te ushqimi që merrnin me vete, ku në një kuti boje për këpucët fusnin gjizë apo gjalp. Ushqimi hahej në mënyrë kolektive nën hijen e ndonjë peme, apo në ndonjë strehë jashtë fermës.

 

Kur djali nisej ushtar

Kryerja e ushtrisë, përveçse një detyrim shtetëror, ishte dhe një ngjarje e madhe për familjen. Kjo, sepse djali i familjes ishte rritur dhe pas kthimit nga ushtria do të martohej. Një gjë e tillë përjetohej me gëzim për familjen dhe një ditë para nisjes bëhej një festë e madhe, ku mblidheshin të gjithë të afërmit. Ngjarje të tilla i jepnin rëndësi familjes dhe djalit, i cili tashmë kishte marrë përgjegjësitë mbi vete për të mbrojtur atdheun dhe për të mbrojtur nderin e familjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›