Rebelim në Burgun 325, të dënuarit kërcënojnë policinë

Burgu 313 / Foto arkiv
Flamur Vezaj
Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Ali Demi, i njohur ndryshe si Burgu 325, konkretisht sektori i burrave, paraditen e së premtes është përfshirë në një rebelim nga disa të dënuar që vuajnë aty ditët e dënimit. Informacioni i marrë nga burime konfidenciale pranë këtij institucioni, i konformuar dhe nga zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve, saktëson se për ngjarjen u bënë shkak tre të dënuar të formës së prerë, që ndodheshin në të njëjtën qeli. Por, zyrtarisht drejtoresha e këtij institucioni, znj.Irena Çelaj, e kontaktuar nga Shekulli, u shpreh se nuk ka pasur ndonjë incident për tu veçuar.
Janë rutina të punës së përditshme të institucionit, ku një i dënuar nuk zbaton urdhrin izolohet dhe del para komisionit disiplinor. Reagim, ka pasur nga një grup i caktuar të dënuarish, që janë të moshës së tyre, por, asgjë për tu veçuar, tha drejtoresha Çelaj, duke hedhur poshtë faktin se policët janë kërcënuar. Sipas të dhënave që Shekulli ka arritur të sigurojë, mësohet se shkaktarët e këtij incidenti kanë qenë shtetasit: Bukurosh Muceku, Lavdërim Koçeku dhe Sergeto Turullai. Të dënuarit ishin bërë problematikë për forcat e sigurisë, pasi disa herë ishin përfshirë në zënka dhe debate me të dënuarit e tjerë. Këta të dënuar ishin me shqetësuesit e sektorit, pasi herë pas here përfshiheshin në ndonjë zënkë.
Kështu që vazhdimi i qëndrimit të tyre sëbashku, sillte probleme për rregullin. Shefi i sigurisë së burgut, i këshilluar edhe me efektivët, kishte vendosu ndarjen e tyre në tri qeli të ndryshme. Por, zbatimi i këtij vendimi ishte i vështirë, pasi tre të dënuarit nuk pranuan të ndaheshin, duke sjellë tensionim brenda rrethimit të burgut, – thanë burimet. Sipas tyre, në momentin që grupi i gatshëm i këtij institucioni, ka trokitur në derën e tyre, duke i kërkuar të bënin gati rrobat pasi do të ndaheshin, të tre të dënuarit kanë filluar të kundërshtojnë, duke ofenduar, fyer e kërcënuar efektivët e policisë.
Në mbështetje të veprimit të tre të dënuarve, në fushën e futbollit të këtij institucioni kanë dalë edhe rreth 15 të dënuar të tjerë, të cilët kërkuan që ata mos të ndaheshin, kërkesë të cilën e kanë shoqëruar me veprime, duke tundur telat e rrethimit të fushës. Meqenëse tre të dënuarit rezistuan, fyen dhe ofenduan policët, ndaj tyre u vendos masë ndëshkimore vendosja e tyre në dhomat e izolimit. Ekzekutimi i këtij urdhri u kundërshtua nga të dënuarit e tjerë, të cilët nuk pranuan të ktheheshin në qeli, pa i nxjerrë bashkëvuajtësit e tyre nga izolimi. Vetëm pas negocimeve të bëra nga autoritetet drejtuese të burgut, të dënuarit u kthyen në qelitë e tyre. Ndërkaq, tre të izoluarit: Muceku, Koçeku dhe Turullai, për disa minuta në shenjë pakënaqësie qëlluan dyert e dhomave të izolimit me shkelma. Sipas të dhënave zyrtare, gjendja është nën kontroll dhe nuk ka veprime të dhunshme.
Bukurosh Muceku, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg nga Gjykata, për akuzën e vrasjes në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme. Pas një sherri verbal, në mbrojtje e sipër ka qëlluar disa herë me thikë shtetasin Robert Bishmema
Lavdërim Koçeku, i dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg nga Gjykata, për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje dhe plagosjes së lehtë me dashje, pasi ka qëlluar me thikë shtetasit F.Gjoka dhe E.Gjoka gjatë një sherri mes tyre
Sergeto Turullai, i dënuar disa herë nga Gjykata për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim. Dënimi i fundit është dhënë me 3 vjet burg për vjedhje të automjeteve në bashkëpunim