E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jeta e pasigurt” e Pacit në Stamboll

18/08/2010 Ai e ka “vdekur” veten për të rrëfyer traditën e vajtojcave, por jo vetëm. Ai është “ngjallur” sërish. Dhe me artin e tij ka rrëfyer përmes syve të njerëzve realë në lëvizje pjesë nga identiteti shqiptar, nga shndërrimet, problemet e tij... “Jeta e pasigurt” e tij e paraqet më së miri këtë.

“The Istanbul Modern” (Stambolli Modern) është mikpritësi i një ekspozite të artistit shqiptar, Adrian Paci. “Precarious Life” (Jetë e pasigurt), e cila do të qëndrojë e çelur deri më 22 gusht.

Ekspozita paraqet punën e Adrian Pacit nga viti 2000 deri në vitin 2008. Titulli i kësaj paraqitjeje i referohet jetës së individëve të portretizuar në secilën prej videove dhe fijes së hollë të mbijetesës së pasigurt, megjithëse mbështetur nga forca e traditës.

Çdo punë fokusohet në pjesë të jetës së Pacit si artist që përpiqet të pasqyrojë jetën e tij në periudha të ndryshme kohore.

“A Real Game”, (Lojë reale), e cila është krijuar në vitin 2000 tregon vajzën katër-vjeçare të Adrian Pacit, e cila tregon historinë e jetës së të atit të saj, që në mënyrë të papritur fut në rrëfimin e saj nocione të rriturish të tilla si “certifikata e lindjes”, “bankat” dhe “ambasada italiane”.

Një tjetër punë, e titulluar “In Vajtojca”, (Në Vajtojca), e krijuar në 2002-in, vë në skenë funeralin e vetë artistit dhe punësimin e një përcjellësi profesional të të vdekurit për të qarë e që “zgjon” atë. Videoja përfundon me një shtrëngim duarsh midis artistit dhe përcjellësit të të vdekurit.

“Piktori” vjen nga 2002-shi dhe është një meditim mbi rolin e artistit në shoqëri, gjatë periudhave të turbullirave politike dhe jostabilitetit.

Pas përmbysjes së diktaturës, një numër kioskash që mbanin titullin “piktor” filluan të shfaqen në shumë qytete shqiptare. Në këto qoshka, kioska të paautorizuara, artistët prodhonin piktura vaji, portrete nga fotografi, targa të rreme makinash dhe dokumente të rreme, të tilla si certifikatat e lindjes, diploma universitare, vizat për udhëtime jashtë vendit dhe certifikatat e vdekjes. Videoja ndjek një nga protagonistët në këtë lëvizje të shkurtër “artistike” dhe rrethanë politike.

“Klodi” e xhiruar nga Paci në 2005-ën, është bazuar në një tregim dramatik dhe në të njëjtën kohë absurd, tregim i rrëfyer nga Klodi, një mërgimtar shqiptar. Historia e tij është paralele me përvojat e vetë Adrian Pacit, i cili gjithashtu është një emigrant dhe mbart detajet e aventurës së tij të kalimit të kufijve në kërkim të diçkaje që në fund bëhet gati e paarritshme.

“PilgrIMAGE” (Pelegrinazhet), e realizuar në 2005 ndërton një urë vizuale në mes banorëve të Shkodrës dhe një ikone të shenjtë - Madonna del Buon Consiglio në Genazzano, Itali. Sipas legjendës, ikona u transportua në Itali nga engjëjt në shekullin e 15-të. Kjo video bashkon teorikisht, në mënyrë ideale qytetarët e Shkodrës me imazhin e shenjtë dhe anasjelltas, ikonën me pasuesit e saj përmes projektimit në të njëjtën kohë të një asambleje të robërve shqiptarë në kishën e Genazzano-s.

“Nobody is Romantic Anymore” (Askush nuk është më romantik) tregon historinë e një njeriu shqiptar duke punuar si artist në Nju Jork. Nëpërmjet syve të piktorit, ne bëhemi të vetëdijshëm për idealin e tij të lirisë në Shtetet e Bashkuara, si dhe dëshirën e tij të fortë për të krijuar.

Adrian Paci u lind në Shkodër më 1969. Në artikujt për të dhe punën e tij vërehet se ai u zhvendos në Milano, Itali, “pas përfundimit të luftës civile në Shqipëri, në 1997”. Ai vazhdon të jetojë dhe të punojë atje. Edhe pse i trajnuar fillimisht në Tiranë si një piktor, në Milano ai filloi të eksperimentojë me videon. Kjo e lejoi atë të zhvillojë dhe të artikulojë me një tregim të vazhdueshëm shqyrtues pasojat e ndërrimeve politike në vendin e tij, si dhe të përkujtojë traditat dhe zakonet e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›