E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hashashi në Shkodër, 45% më pak këtë vit

18/08/2010 Kryepolici Hysni Burgaj inspekton punën antidrogë në Shkodër

Parcelat e mbjella kontrollohen me helikopterë dhe me forca tokësore

SHKODËR- Aksionet e përditshme të policisë për evidentimin e parcelave të mbjella me cannabis sattiva, si dhe lufta që po zhvillohet për parandalimin e tregtimit dhe trafikimit të bimëve narkotike ka sjellë në Shkodër drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Hysni Burgaj. Drejtori Burgaj zhvilloi në Shkodër një takim me efektivat e policisë së këtij qarku, ku u diskutua rreth punës së bërë për implementimin e planit të masave të marra gjatë tre muajve të fundit të këtij viti. Pas përfundimit të fazës së parë që kishte të bënte me masat sensibilizuese të komunitetit të zonave malore për dëmet që sillte kultivimi i bimëve narkotike dhe masat ndëshkuese që do merren ndaj personave që do kultivojnë bimë të ndaluara, tashmë policia ka kaluar në fazën tjetër, atë operacionale për monitorimin e të gjitha zonave të identifikuara si problematike për sa i përket fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike. Prej disa javësh monitorimi i këtyre zonave po kryhet jo vetëm në rrugë tokësore nga efektivat e policisë, por edhe nga ajri me anë të helikopterëve të ministrisë së rendit. Në sajë të këtyre masave është arritur të monitorohen të gjitha zonat problematike, ku më përpara ishte e pamundur të arriheshin kontrollet e plota në rrugë tokësore. Drejtori Burgaj theksoi se masat parandaluese kanë bërë që jo vetëm në qarkun e Shkodrës, por edhe në rang kombëtar të ketë një përgjysmim të sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike. Duke folur me shifra konkrete drejtori Burgaj informoi se për vitin 2010, qarkun e Shkodrës vihet re një rënie prej 45% të sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike canabis sattiva, ndërkohë që ka rezultate pozitive në drejtim të evidentimit të personave dhe të të procedimit të tyre. Konkretisht për qarkun e Shkodrës ka pasur 6 raste të evidentuara, ndërkohë që janë 32 të proceduar në të gjithë vendin. Duke bërë një krahasim me vitet e kaluara, në vitin 2008 janë konstatuar 60 mijë rrënjë cannabis sattiva, në vitin 2009 u konstatuan 50 mijë rrënjë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›