E Diel, 1 Nëntor 2026

Rindizet konflikti

18/08/2010 Mosdekretimi i ligjit të pronave, thellohet konflikti mazhorancë-President

Boçi: Topi u hakmor për anëtarët e Gjykatës së Lartë

“Hakmarrje” ndaj saj, e ka cilësuar mazhoranca refuzimin që Presidenti i Republikës i bëri disa ditë më parë ligjit të pronave, duke mos e dekretuar atë. Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, gjatë një prononcimi për mediat tha se Presidenti Topi e rrëzoi ligjin në një moment nervozizmi, si hakmarrje ndaj shumicës parlamentare, e cila pak më herët rrëzoi me votim të hapur kandidaturat e propozuar nga kreu i shtetit për Gjykatën e Lartë. Në këtë mënyrë me fillimin e sesionit parlamentar pritet të thellohet debati mes drejtuesit të shtetit partisë në pushtet që e propozoi dhe zgjodhi në këtë post të lartë. Mazhoranca, e bindur në kushtetutshmërinë e këtij ligji, pavarësisht arsyetimet e përdorura nga Presidenti në dekretin e kthimit, garanton se do ta rivotojë ligjin pa e ndryshuar atë. “Mënyra se si e ka kthyer Presidenti ligjin nuk është shumë e saktë, pasi ka shprehur një lloj nervozizmi kur thotë se ligji për pronat ka shkelur preambulën e Kushtetutës dhe pastaj ka renditur edhe nenet përkatëse. Përderisa kjo çështje ka kaluar në Komisionin e Ligjeve, është parë se nuk shkel Kushtetutën dhe se është përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e këtij vendi, dhe përderisa ne e kemi votuar njëherë, unë pretendoj se sigurisht do ta kalojmë për pro”, - tha deputeti demokrat Boçi. Nga tre kandidaturat që Presidenti i Republikës i propozoi Kuvendit të Shqipërisë për anëtar të Gjykatës së Lartë, Parlamenti votoi vetëm njërin prej tyre dhe refuzoi dy të tjerët. Pas kësaj mazhoranca thelloi më tej konfliktin mes saj dhe kreun e shtetit kur e akuzoi këtë të fundit si shkelës të Kushtetutës, për sa i takon mosrespektimit të saj për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa në fundjavën e shkuar Presidenti i Republikës vendosi të kthejë për rishqyrtim nga Kuvendi ndryshimet e propozuara nga ish- ministri i Drejtësisë, deputet i PD-së, Enkelejd Alibeaj në ligjin e Pronave. “Vlerësoj se rregullimi ligjor që propozohet vjen ndesh me Kushtetutën e Republikës, preambulën e saj dhe nenet 4, 41, 132 dhe 181 të saj. Gjithashtu rregullimi ligjor i propozuar cenon parimin e sigurisë juridike. Me qëllim që zgjidhja e ofruar të jetë sa më pranë standardeve të të drejtave të njeriut dhe atyre kushtetuese, vendosa ta kthej ligjin edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend, për shkakun se gjykoj se ka vend të rishikohet, si për sa i përket kushtetutshmërisë së tij, por edhe për ta bërë atë efektiv dhe të zbatueshëm”, - thuhet në arsyetimet e kreut të shtetit për të kthyer ligjin.

Riformatimi

Deputeti demokrat Boçi vlerëson se Kryeministri Sali Berisha mund të riformatojë kabinetin e tij qeveritar në emër të përmirësimit të qeverisjes në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale. “Është Kryeministri që vendos, që për të rritur maksimumin e punës së kabinetit, mund të bëjë rrotacione lëvizje, në bazë të qëllimësisë së mirë që të përshtat një personi që ofron punë më të saktë dhe më të mirë”, - tha ai. Ky është zëri i dytë në pak ditë që i adresohet kreut të qeverisë për të parë mundësinë e riformatimit të kabinetit të tij qeveritar. Pak ditë më parë deputeti demokrat Mark Marku u prononcua për këtë çështje, ndërkohë që ndryshe nga mandati i mëparshëm i qeverisjes (2005-2009), deri tani kur kanë kaluar gati një vit nga emërimi i kabinetit qeveritar, Kryeministri nuk ka bërë asnjë lëvizje ministrash brenda tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›