Jeta e patrazuar e elitës në Damask

Që 15 muaj, Siria është e zhytur në një luftë të përgjakshme, luftë kjo ndërmjet kryengritësve anti-qeveritar dhe regjimit brutal të presidentit, Baschar Al Assad, e cila sipas të dhënave të OKB-së i ka kushtuar me jetë mbi 10 mijë personave.
Ajo që filloi si një protestë kundër një regjimi autokrat u zhvillua në një konflikt të dhunshëm, me tipare të përleshjeve ndër-fetare, konflikt i cili tani kërcënon që të përhapet edhe në shtetet fqinje.
Për gazetarët, Siria mbetet një vend i vështirë dhe i rrezikshëm për t’u mbuluar dhe vëmendja më e madhe është përqendruar në përpjekjet e luftëtarëve kryengritës për të përmbysur Assadin, në qytetet si Homs dhe Houla.
Në anën tjetër, bota ka shumë më pak njohuri për jetën të cilën e zhvillon elita pro-Assadit, në kryeqytetin e Sirisë, Damask. Damasku është një gërshetim i çuditshëm, alavitë dhe të krishterë, por edhe sunitë (pjesa më e madhe prej tyre laikë). Për pjesëtarët e këtyre komuniteteve, Assadi është garantues i stabilitetit. Dhe shumë prej pjesëtarëve të këtyre komuniteteve shprehin frikën se nëse kryengritësit ngadhënjejnë, ata do ta shndërrojnë Sirinë në një vend konservator religjioz, i cili do t’i ngjasonte më shumë Arabisë Saudite apo Jemenit. Por me forcat qeveritare, të cilat po duken të paafta që të shtypin kryengritjen, skenari më i frikshëm tani duket më i mundshmi: vazhdimi i luftimeve dhe zhytja në luftën qytetare.
Përkundër kësaj, muzika dhe parakalimi i bukurosheve në hotelin Dama Rose, në Damask, nuk kanë të ndalur. Siria, më sa duket, është shndërruar në një shtet skizofrenik, një shtet, në të cilin realitetet e njerëzve nuk ndërthuren më mes vete.
Në njerën anë, në Damask ka aktivistë të padukshëm, të cilët synojnë përmbysjen e Assadit. Ka pasur përleshje të armatosura në lagjet Douma dhe Barzeh të kryeqytetit.
Në anën tjetër, ekziston klasa e mbështetësve të Assadit, të cilët ndjekin ahengjet nepër pishina, përderisa qielli mbi qytet digjet. Sikurse lufta të ndodhte në ndonjë vend tjetër, njerëzit pinë shampanjë në lagje e Damaskut Mezzah. Përkundër postblloqeve dhe kërcënimeve nga rrëmbimet, disa njerëz ende dalin gjatë orëve të natës, duke shkuar në operë, për të takuar miqtë për darkë dhe duke bërë dasma në lokalin Le Jardin.
Elita në Damask më sa duket as që është e vetëdijshme se vendi është në luftë. Përkundër raporteve për masakrimin e civilëve nga ana e forcave të qeverisë, kryengritja deri me tani duket se nuk ka penguar jetën e elitës, e me sa shihet, pjesëtarët e elitës as që e kanë ndërmend që ta lejojnë këtë.
“Shikoni, unë ende shkoj dhe i rregulloj flokët, kur shkoj nëpër ahengje, të cilat organizohen nga dy herë në javë. Jam ende gjallë. Ose vendos të frikësohesh gjatë gjithë kohës, ose vendos të jetosh”, thotë një femër e re siriane nga Damasku.
E tani si qendron puna me presidentin, Baschar Hafez al-Assad, 46 vjeçar, i cili ende mbetet enigmë.
Shumë rrallë i parë në publik, tejet i tërhequr si fëmijë, ai kurrë nuk ka synuar të ndjekë rrugën e të atit, Hafezit, në politikë. Në vend të kësaj, ai studio mjekësinë në Damask dhe Londër, duke specializuar në degën e oftamologjisë. Por kur vëllai i tij, Basseli, i cili ishte trashëgimtarë, humbi jetën në një aksident trafiku, në vitin 1994, Baschari u detyrua që të kthehej në shtëpi.
Në vitin 2000, ai trashëgoi presidencën nga i ati dhe u martua me Asma al-Akhras, një bukuroshe britanike, me rrënjë nga Siria.
Elita në Damask nuk beson se kaosi në Siri është vepër e Assadit. Për tërë rrëmujën elita fajëson salafistët radikalë dhe si mikun e tyre të vetëm e konsiderojnë Rusinë.
Mariah Sadeeeh, e cila së fundi është zgjedhur si deputete në parlamentin e Sirisë, është në mesin e atyre, që nuk besojnë se forcat e Assadit qëndrojnë prapa krimeve në Siri, përkundër dëshmive gjithnjë e më të fuqishme se forcat e regjimit po masakrojnë civilët në Houla dhe Homs.
“A mendoni se presidenti ynë heq dorë nga populli i tij? Kjo është vepër e luftëtarëve të huaj. Ata dëshirojnë të ndryshojnë kulturën tonë”, thotë Sadeeh.
Një klasë e caktuar e banorëve të Damaskut e vazhdon jetën e paprekur nga dhuna, në shtëpi të bukura dhe luksoze, duke organizuar darka dhe duke u takuar me miq.
“Ende dal të vrapoj dhe notoj çdo ditë”, thotë Wael, një biznesmen i pasur, i cili insiston se konflikti në Siri nuk është konflikt ndër-etnik apo luftë qytetare. Ai është shiitë, në familjen e tij të ngushtë ka edhe sunitë, ndërsa miqtë e tij më të mirë janë të krishterë dhe alavitë.
“Kjo nuk është luftë. Regjimi ynë është i fuqishëm. 70 për qind e popullatës e mbështetë Assadin”, thotë Wael. Bashkëshortja e tij, Nadia, e cila bartë shami dhe shkon në operë sa herë që ka mundësi, thotë se kryengritësit po kërcënojnë njerëzit, duke i urdhëruar që të mbyllin dyqanet dhe t’i bashkohen protestave. “Nëse refuzojnë, kryengritësit i djegin dyqanet. Kjo është arsyeja se pse unë e mbështes regjimin”, thotë Nadia.
Të pyetur se a kanë frikë, ata e mohojnë këtë. “Aspak. Javën e kaluar kishim një aheng me 20 mysafirë në ballkon. Dëgjuam të shtëna në sfond, por ato dukeshin se ishin shumë larg prej nesh”, thotë Wael. (Newweek)