Po, Shef
Hajredin Kuçi të martën duket se pati një ofertë që nuk mundi ta refuzojë. Thirrja publike që ia bëri Kryeministri Hashim Thaçi për t’u kthyer në postet qeveritare nga të cilat kishte dhënë dorëheqje, u zbatua po të njëjtën ditë nga Kuçi.
Zëvendësi i Thaçit mori përsëri përsipër funksionet e tij si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë i Kosovës pas një “pauze” rreth dyjavore, një pjesë të së cilës e kaloi edhe në bregdetin shqiptar.
Në fakt, dorëheqja e Kuçit nuk ishte miratuar asnjëherë nga Kryeministri Thaçi.
“Kryeministri Thaçi fton Zëvendëskryeministrin Kuçi që të vazhdojë me përkushtim dhe përgjegjësi ushtrimin e funksioneve që ka mbajtur deri më tani në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesën e Zyrës së Kryeministrit.
Kjo me arsyetimin se, pas miratimit të Projektligjit për ndryshmin e Kodit Penal, respektivisht heqjes së tri neneve që konsideroheshin si të rrezikshme për lirinë e medias, shkaqet që kanë çuar Kuçin te dorëheqja, nuk ekzistojnë më.
E, kësaj ftese, siç mund të merret me mend, nuk ka mundur t'i thotë jo, Kuçi, i njohur si një nga njerëzit më besnikë të Thaçit
Ditën e parë të punës, pas rikthimit, ai e ka nisur me takime.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka pritur Shefin e EUELX’it, Xavier Bout De Marnach.
Pas këtij takimi, Kuçi ka thënë se kushtet që ai të kthehet në punë ia ka plotësuar krejt spektri politik i vendit.
“Pas datës 22 qershor, unë jam shumë mirënjohës për angazhimin personal dhe konkret të Kryeministrit në raport me zhvillimet që kanë qenë me pozicionin tim, unë jam shumë falënderues për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që nga Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe deputetët e pozitës dhe të opozitës, do të thosha që të gjithë kanë treguar një vetëdije të lartë, një solidaritet të lartë edhe me mua personalisht dhe po ashtu partnerët ndërkombëtarë, të cilët më kanë dhënë mbështetje të plotë edhe këto ditë. Unë sot jam kthyer me përgjegjësi të plotë aty ku kam qenë dhe ndoshta me përgjegjësi edhe më të lartë se më herët”, ka thënë Kuçi në konferencën për media, pas takimit.
Ai është larguar nga konferenca, pa pranuar asnjë pyetje.
“Kaq për sot”, ka thënë ai.
I lumtur me kthimin e Kuçit në pozitë, u shfaq udhëheqësi i misionit EULEX.
“Dua të them se si udhëheqës i misionit për sundim të ligjit në Kosovë, mund ta imagjinoni se jam i lumtur që si bashkëpunëtor ta kem prapë Ministrin e Drejtësisë”, ka thënë Marnach.
Ky i fundit, ndërkohë nuk hezitoi që t’ia rikujtojë bashkëpunëtorit të tij se e presin shumë punë për t’i kryer.
“Kemi shumë çështje me të cilat do të duhet të merremi, duke filluar me koordinimin e përbashkët për sundim të ligjit, të cilin synojmë që ta vazhdojmë para fundit të këtij muaji. Dhe prapë e them që jam i lumtur që ministri i Drejtësisë u kthye në zyrë dhe ne do të jemi në gjendje që të vazhdojmë të punojmë së bashku”, ka thënë Marnach.
Kuçi ndërkaq duke u thirrur në dy pozitat qeveritare të tij, e garantoi shefin e EULEX’it se do të kenë sukses për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë.
“Dua t’i jap garanci të plota edhe si Ministër i Drejtësisë, edhe si Zëvendëskryeministër i Kosovës, edhe për të ardhmen, për punë të mbara për të vendosur rendin dhe ligjin dhe për të angazhuar kapacitetet tona të plota, që në Kosovë të sundojë rendi dhe ligji, sipas standardeve euroatlantike”, u shpreh Zëvendëskryeministri.
Kuçi kishte dhënë dorëheqje më 22 qershor të këtij viti, kur Parlamenti i Kosovës miratoi në tërësi Kodin e ri Penal, së bashku me nenet 37, 38, dhe 39, të cilat konsideroheshin si të rrezikshme për lirinë e medias.
Por Kryeministri Thaçi riktheu Kodin në Parlament, së bashku me projektligjin me të cilin kërkonte ndryshimin e tij, respektivisht heqjen e tri neneve cenuese për mediat.
Kjo kërkesë u plotësua në seancën e fundit plenare, kur Kuvendi i Kosovës me 59 vota për dhe dy abstenime, miratoi në leximin e parë Projektligjin për ndryshimin e Kodit.
Me këtë, Kuçit iu hap rruga për t’u kthyer në postet, të cilat i kishte lënë bosh.
Rikthimi i tij ndërkaq për dy partitë më të mëdha opozitare në vend, nuk është diçka e papritur.
Deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha Zëvendëskryeministri ishte vetë shkaku dhe pasoja e dorëheqjes së tij.
“Zoti Kuçi është edhe shkaku edhe pasoja e kësaj dorëheqje dhe i këtij rikthimi në Qeveri, sepse ai është sponsor i Ligjit dhe vetë i ka bartur pasojat që u bënë problematike. Sikur që e kam pritur aktin e dorëheqjes, e kam pritur edhe aktin e rikthimit në pozitë që në një formë apo tjetër është situatë e pritur”, ka thënë Haziri të martën për Express.
“E ndershme edhe e papritur ka qenë kërkesa e Bujar Bukoshit për lirimin nga detyra, por kjo e Kuçit ka qenë e pritur. Kuçi ka qenë ministër i ndershëm në Kabinet dhe mosprezenca e tij ka qenë një hendikep, mirëpo kthimi i tij ka qenë i pritur...”, ka pohuar ai.
“Unë, nëse isha largu njëherë, nuk do të isha kthyer kurrë më në atë vend”, ka shtuar më tej Haziri.
Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se akti i dorëheqjes është akt moral që nuk tërhiqet sa herë që Qeveria manipulon me një çështje.
“Nenet u hoqën nga presioni i opozitës dhe i gazetareve, e jo nga dorëheqja e Kuçit”, ka thënë Ymeri.