Jeta në barrikada

Të vendosur që të qëndrojnë në barrikada, serbët e komunave veriore të Kosovës thonë se nuk e kanë ndërmend të tërhiqen.
Nën organizimin e strukturave paralele të pushtetit në këtë pjesë, që mbështetjen e kanë nga Beogradi zyrtar, banorët serbë shkojnë të kujdestarojnë nëpër barrikadat e vendosura në rrugë me ndërrime e orare, sikur të shkonin në vendet e tyre të punës.
Qëllimi i tyre është që KFOR-i dhe EULEX-i të heqin dorë nga pikat doganore në veri dhe me këtë edhe nga tendencat për vendosjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në atë pjesë.
Me gjithë situatën e tensionuar, ku njerëzit vijnë në kufijtë e lodhjes dhe durimit, ata, megjithatë, shprehen të gatshëm të rrinë aty në rrugë, derisa KFOR-i të zmbrapset. Madje, disa thonë se nuk do t’i lëshojnë barrikadat as me çmimin e jetës.
Jovo Popoviq thotë se në asnjë moment nuk i shkon mendja të tërhiqet nga barrikadat, pavarësisht se rreth tij ka një makineri ushtarake që vjen nga fuqia numër një në botë - NATO.
“Jam i bindur se në këtë mënyrë, me veprime të organizuara, por me rrugë paqësore, me siguri se do të kemi sukses, kurse plani i tyre do të dështojë”, thotë Popoviq.
Ai pret edhe ndryshime në politikat globale.
“Amerika shumë shpejt do të dështojë, më besoni ju mua”, shprehet ky qytetar.
Një banor tjetër i veriut, i cili nuk do të prezantohet, thotë se atmosfera është e rëndë dhe se popullata është e prekur dhe e shqetësuar. Marrjen e pikave doganore dhe tendencat e Qeverisë së Kosovës për të vendosur rendin kushtetues në veri, ai i sheh si agresion.
“Ata duan të na marrin nga nëna jonë dhe të na dorëzojnë te njerka... Frikë ka; është normale që ka frikë në situata të tilla, por nuk tërhiqemi”, thotë ky qytetar.
Marko Jovanoviq, një tjetër banor serb në barrikada, thotë se me gjithë vështirësitë, te masa ka ende disponim të mirë për të qëndruar aty.
“E shihni se duhet pritur këtu tërë ditën... Do të shkojmë të drekojmë e pastaj sërish do të kthehemi”, thotë Jovanoviq.
Situata përshkruhet e tensionuar me plot frikë e paqartësi edhe nga Nikolla Joviq.
“Disponimi është ashtu si është. Ne do të qëndrojmë këtu dhe mendoj se populli serb është feniks dhe ringjallet”, thekson ky banor.
Ka edhe qytetarë si Nebojsha Jovoviq, që akuzojnë liderët në Beograd për gjendjen e krijuar në veri.
“Tadiqi ka ftuar EULEX-in dhe të tjerët. Andaj, ai le t’i marrë me vete. Ky është një kaos dhe nuk do të lejojmë për çmim të jetës që të zmbrapsemi.
Fajtorët janë në krye; ata janë në Beograd. Ata na e bëjnë jetën më të vështirë. Ata i mbyllin sytë dhe rusët mirë thonë - ata po bëhen më serbë sesa ne”, thotë ky banor në barrikada në Jarinë.
Barrikadat nëpër rrugë në veri të Kosovës janë vendosur nga 25 korriku, kur qeveria ndërmori aksionin e parë në pikat doganore.
Këto barrikada u shtuan dhe sforcuan edhe më shumë pas 16 shtatorit, kur KFOR-i dhe EULEX-i mbështetën planet e përbashkëta me autoritetet vendase për kontrollin në kufi.
Prej atëherë, pikat doganore 1 dhe 31 janë vënë nën kontroll dhe regjim ushtarak, përderisa gjendja në terren mbetet e tensionuar dhe mjaft e rëndë.
Forcojnë bllokadat
Pavarësisht veprimit provokues të disa serbëve, të cilët kanë betonuar barrikadën mbi urën kryesore që lidh dy brigjet e Lumit Ibër në Mitrovicë, nuk ka pasur incidente, të cilat do ta rrezikonin sigurinë e përgjithshme, vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se përmes veprimeve të tilla, grupet ekstremiste të serbëve po përpiqen ta provokojnë situatën.
“Kemi pasur një aktivitet, me qëllim më tepër provokues nga grupet ekstremiste, të cilat kanë vendosur një masë të betonit përmbi barrikadën ekzistuese në urën kryesore mbi lumin Ibër. Kjo ka ngjarë në orët e mbrëmjes, menjëherë pas një ndeshjeje sportive, në të cilën ka marrë pjesë vetë reprezentacioni i Republikës së Serbisë”.
“Është e qartë se grupet ekstremiste kërkojnë një partner për të provokuar situatën apo për ta eskaluar atë. Por, fatmirësisht, nuk kemi reagim nga qytetarët nga pjesa jugore e qytetit”, thotë Hoti.
Sipas tij, pavarësisht bllokimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, nëpër të cilën është pamundësuar qarkullimi i automjeteve, qarkullimi i qytetarëve nga të dyja anët e këtij lumi vazhdon të jetë i lirë.
“Të gjitha mundësitë e qarkullimit janë, ekzistojnë rrugë, përveç kësaj urës kryesore, për të cilën trafiku rrugor është i penguar. Do të thotë, nuk mund të qarkullohet në komunikacionin e trafikut rrugor. Ndërsa këmbë, qytetarët këmbësorë mund të kalojnë edhe përmbi urën kryesore, pa ndonjë telashe”.
“Rrugët tjera, përmes Lagjes së Boshnjakëve, fshatit Suhodoll, pjesës Tre Rrokaqiejt, të gjitha këto janë të hapura. Do të thotë, nuk ka asnjë telashe në këtë drejtim”, shpjegon Hoti.
Ai thotë se në mjediset me popullatë të përzier në veriun e Kosovës, është e pranishme Policia e Kosovës, ndërkohë që ajo e shoqëron edhe qarkullimin e autobusëve, që bartin udhëtarët nga Kodra e Minatorëve në veri të Mitrovicës, për në pjesën jugore të qytetit
Edhe zyrtarët e KFOR-it e përshkruajnë të qetë situatën në vendkalimet kufitare në Jarinë dhe Bërnjak. Zëdhënësi i kësaj force, Frenk Martin, thotë se gjatë orëve të fundit nuk ka pasur ndonjë lëvizje që do të cenonte situatën e sigurisë në vendkalimet kufitare në veri të vendit.
“Ne jemi të kënaqur me gjendjen e qetë që mbizotëron momentalisht dhe shpresojmë se gjendja e tillë do të vazhdojë të mbetet edhe në të ardhmen”, thotë Martin.
Branko Niniq, përfaqësues i serbëve në Leposaviq, thotë se vendkalimi kufitar në Jarinë tashmë është i bllokuar nga të dyja anët me barrikada.
Sipas tij, serbët lokalë kanë vendosur edhe një barrikadë, por në pjesën që i takon Republikës së Serbisë, duke e bllokuar në këtë mënyrë edhe qarkullimin e automjeteve, edhe të mallrave që vijnë nga Serbia për në Kosovë.
“Qytetarët janë pranë bllokadave dhe po kujdestarojnë aty në një numër të vogël, duke përcjellë situatën. Për momentin, në Jarinë, ekzistojnë dy bllokada. Njëra është në drejtimin nga Leposaviqi drejt bazës të KFOR-it dhe tjetra është nga drejtimi i Rashkës, në vendkalimin kufitar ndërmjet Serbisë qendrore dhe Kosovës. Është e rëndësishme në këtë moment që situata është e qetë”, thotë Niniq.
Sipas tij, barrikadimin e rrugës në pjesën e Serbisë e kanë bërë serbët lokalë, pas deklaratave të KFOR-it se qarkullimi i automjeteve dhe i mallrave në vendkalimin kufitar në Jarinë mund të bëhet lirshëm. /Evropaelirë/