E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka hise?

Behgjet Pacolli po kërkon edhe një ministri në Qeverinë e Kosovës. Ai thotë se kjo është pjesë e marrëveshjes me Kryeministrin Thaçi. Por burime të Expressit bëjnë të ditur se AKR’së nuk do t’i jepet ndonjë post i ri - të paktën jo deri në fund të vitit, kur të bëhet një vlerësim i punës së kabinetit qeveritar. Nga Faton Ismajli më 02 tetor 2011 në ora 08:05


Behgjet Pacolli po kërkon edhe një post ministror në Qeverinë e Kosovës, të cilin thotë se ia ka premtuar Kryeministri Hashim Thaçi.

Sipas Pacollit, Thaçi kishte premtuar pesë Ministri për AKR’në dhe partitë e tjera të Koalicionit Kosova e Re kur u morën vesh për ndarjen e pushtetit, në fillim të këtij viti.
Por, kanë kaluar më shumë se shtatë muaj që partneri i vogël në koalicion po pret realizimin e marrëveshjes me Hashim Thaçin.

Aktualisht AKR’ja me Koalicionin për Kosovën e Re ka katër ministri.

Megjithëkëtë, burime të Expressit brenda Qeverisë kanë thënë se kjo çështje pritet të shqyrtohet vetëm kur të ketë një vlerësim për performansën e ministrave - diku në fund të vitit.

Por gjasat që Pacolli të marrë ministri nuk janë të mëdha.

“Kah fundi i vitit bëhet edhe vlerësimi i punës së ministrave dhe atëherë mund të ketë ndonjë ndryshim. Por gjasat janë të vogla”, ka thënë një burim brenda Qeverisë.
Ndryshe, në kohën kur Pacolli ka lënë Presidencën dhe ka marrë postin e Zëvendëskryeministrit të Parë, kishte thënë se në fillim të shtatorit do ta marrë ministrinë e premtuar.

Kjo nuk ka ndodhur as në fund të muajit të shtatë të qeverisjes PDK-AKR.
Megjithëkëtë, Pacolli shpreson se Thaçi do ta mbajë premtimin.

“Nuk kemi qenë në Kosovë, unë efektivisht kurrë nuk jam në Kosovë. Këto ditë kur të jemi të gjithë të mbledhur, do të ndodhë implementimi i marrëveshjes së koalicionit”, ka thënë Pacolli për Express.

Krejt fajin për moszbatimin e marrëveshjes, Pacolli e lë te puna që kanë pasur në Veri dhe te procesi i lobimit nëpër shtete të ndryshme për njohjen e Kosovës.

“Jam i bindur se kjo është në proces e sipër edhe tash ka kaluar një ditë-dy, por kjo do të bëhet. Është në proces”, ka deklaruar Pacolli.

Zëvendësi i Thaçit në Qeveri, shprehet optimist se marrëveshje do të realizohet ashtu siç është nënshkruar.

“Unë besoj se kështu janë akordet me Kryeministrin dhe do të ndodhë ajo. Mirëpo, nuk jemi duke e shpejtuar askënd sepse kemi prioritete. Prioriteti ynë është Kosova tani sesa oportunitetet partiake”.

Pacolli thotë se gjatë kësaj kohe, prioritet kanë qenë punët e vendit, e jo ato të partive. Tash pohon se ka ardhur koha për të marrë edhe një ministri, të cilën ende nuk e ka përcaktuar.

“Unë nuk besoj që tani është për t’u diskutuar, është një temë që do të diskutohet. Ka qenë gjithmonë e hapur dhe nuk ka qenë e fiksuar kurrfarë ministrie. Është temë e hapur”, ka shtuar ai.

Por, çka i intereson AKR’së, sipas Pacollit?

“Po, vetëm të ketë punë, të punojmë në mënyrë dinjitoze për Kosovën”, ka shpjeguar Pacolli.

Koalicioni PDK-AKR është lidhur pas zgjedhjeve problematike të vitit të kaluar dhe është nënshkruar ndërmjet Pacollit dhe Thaçit.

Fillimisht Pacolli kishte marrë Presidencën dhe tri ministri, por pas rrëzimit nga posti i Shefit të Shtetit, atij i janë premtuar edhe dy dikastere qeveritare.

Ministrinë e Diasporës, e themeluar më 18 maj të këtij viti dhe në krye të saj është emëruar Nënkryetari i AKR’së, Ibrahim Makolli.

Expressi të shtunën ka provuar ta marrë një deklaratë te Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, por kjo ka qenë e pamundur.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›